Futboll

Igli Tare zbulon sekretin: Rol drejtori, por me mendje futbollisti

Në rolin e tij është nga më të mirët në Itali. Puna e Igli Tares, drejtorit sportiv të Lacios, nuk do shumë komente, provat janë të qarta. Jo më kot drejtuesi shqiptar, përveç vlerësimeve me çmime të ndryshme në vendin fqinj pë sukseset e arritura, është kërkuar edhe nga klubi i Milanit.

Në një intervistë për numrin e korrikut të “Lazio Style Official Magazine”, Tare tregon se ku qëndron sekreti i punës së tij. "Pas karrierës si futbollist, isha i bindur se do të mbetesha pjesë e kësaj fushe, por nuk dija nëse do bëhesha drejtues apo trajner. Jeta ime sidoqoftë ishte e lidhur me futbollin. Ky sport ka qenë pikë referimi dhe kur isha lojtar e mendoja ndryshe nga të tjerët. Isha i interesuar për gjithçka ndodhte edhe jashtë fushës së blertë, më bënte kurioz fakti se si administrohet një klub dhe e gjitha kjo më ka ndihmuar në karrierën time", - thotë fillimisht Tare.

Në këtë intervistë ekskluzive, Igli Tare shton: "Kur nisa rrugëtimin si drejtues, doja ta thosha si duhet fjalën time. Kisha mbi shpatulla një përvojë të rëndësishme dhe gjithmonë kisha menduar: ‘nëse do të merrja detyrën e drejtorit sportiv, do vazhdoja të arsyetoja me mendjen e një futbollisti. Kjo pikëpamje më ka ndihmuar shumë, sidomos në momentet e mia më të vështira".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë