Futboll

Igli Tare darkon me David Silvën, përgatit goditjen e madhe

Igli Tare është afër goditjes së madhe në merkaton e verës. Një emër i njohur si David Silva, i cili sapo ka mbyllur aventurën me Mançester Sitin në Angli, pritet të veshë fanellën e Lacios sezonin e ardhshëm. Edhe pse bëhet fjalë për një futbollisti 34-vjeçar, do të ishte një blerje e bujshme, duke ditur klasin dhe përvojën që ka sulmuesi anësor spanjoll.

Lajmi bëhet i ditur nga spanjollja “AS” që saktëson se David Silva ka darkuar me Igli Taren, drejtorin sportiv të Lacios. Nuk jepen detaje të tjera, por realisht ka shanse që Tare t’ia rrijë qëllimit dhe këtë herë, duke marrë një futbollist me vlera, që vjen pas 10 sezoneve me Mançester Sitin, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Pasi spanjolli konfirmoi largimin nga Premier Liga kohë më parë, u tha se e ardhmja e tij do të ishte në Arabi ose Amerikë, ku do ta kishte shumë të lehtë të luante, por me sa duket, David Silva ka ende energji në këmbë dhe mund t’i bashkohet Luis Albertos te Lacio. Fakti që kjo skuadër sezonin e ardhshëm merr pjesë në Ligën e Kampionëve është një shtysë e fortë që David Silva të zgjedhë Italinë. Nëse marrëveshja finalizohet me sukses, do të ishte një tjetër goditje e madhe nga ato që Igli Tare është mësuar të bëjë.
Burimi: AS/ Përgatiti: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë