Detaje të reja dalin në lidhje me grabitjen me armë një ditë më parë të një farmacie pranë shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë.
Mësohet se personi i maskuar dhe i armatosur ka kërcënuar punonjësen e farmacisë dhe ka marrë xhiron ditore.
Nga verifikimet ka rezultuar se autori ka marrë 17 mijë lekë të reja të xhiros ditore.
Autori ka kapur farmacisten prej rrobash dhe nën kërcënimin e armës i ka marrë paratë që ndodheshin në një sirtar.
Më pas autori ka lëvizur në këmbë në rrugën “Bardhok Biba” ka dalë në unazë tek rruga “Urani Pano” dhe pasi është rrotulluar pas disa pallateve ka dalë sërish në krah të farmacisë që grabiti për t’u larguar në drejtim të paditur.
Policia po gjurmon lëvizjet e tij me anë të pamjeve të kamerave të sigurisë.
Nga analizimi i pamjeve policia ka dyshime se është i njëjti autor i grabitjes së farmacisë në bulevardin “Zhan Dark” më 21 janar, tek një institucion privat i dhënies së kredisë në rrugën “Bardhyl” në 23 janar. Për këto 2 ngjarje policia dyshon se autori është 21-vjeçari Kristi Çinari me precedent penal në fushën e grabitjeve.
Në 2017 kur ishte 17 vjeç ai së bashku me një bashkëmoshatar grabiti me armë një farmaci tek “Rruga e Kavajës”.
Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në disa zona kyçe dhe në hyrje-dalje të Tiranës.
Si pasojë e errësirës grabitësi ka mundur të largohet me shpejtësi në mes të rrugicave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.