Futboll

Ibrahimoviç vendos dhe merkaton e Milanit, sytë te Milenkoviç dhe Bakajoko

Se sa peshë ka Ibrahimoviç te Milani është e qartë edhe nga strategjia e merkatos. Rinovimi i suedezit është praktikisht në detajet e fundit, por derisa kjo firmë nuk ka ardhur ende, për drejtuesit kuqezinj është e vështirë për të mbyllur marrëveshjet. Prania e Ibrahimoviçit ndryshon fytyrën e Milanit, duke nisur nga lojtarët në fushë, të cilët duhet të jenë ata të duhurit pranë sulmuesit veteran. Për këtë arsye, kërkimet për një lojtar të rëndësishëm në mesfushën e avancuar, janë ndalur.

Akordi me gjigantin suedez është një hap larg, kështu që lista me emra e Masarës shkon më tej Kalulut dhe rinovimit të Kjaerit. Nëse ndërhyrjet për sulmin mund të jenë minimale, në mbrojtje dhe mesfushë priten ndryshime të rëndësishme. Objektivi i parë është pa dyshim mbrojtësi i djathtë, sepse Konti dhe Kalabria vijnë nga një sezon larg pritshmërive, madje i dyti edhe mund të largohet. Dy emrat që pëlqehen nga trajneri Pioli janë Serzh Aurier i Totenhemit, 29 vjeç, dhe Denzel Dumfries i PSV-së, 24 vjeç. Klubet e përmendura kërkojnë të dy nga 15 milionë euro, jo pak për Milanin.

Zllatan Ibrahimoviç. Gazeta Si, 7 gusht 2020

Për të ardhmen europiane të kuqezinjve duhet patjetër edhe një mbrojtës qendre. Muzakio duhet të qëndrojë jashtë për 4 muaj, Duarte sapo është kthyer nga dëmtimi dhe Gabia është ende shumë i ri. Emri më i lakuar është ai i Nikola Milenkoviç, 22 vjeç, duke parë që Fioretina është e interesuar për të futur në bisedime brazilianin Paketa.

Me skemën 4-2-3-1, trajneri Pioli kërkon një mesfushor të fortë që të luajë në krah të Benaserit. Në shënjestër është Florentino Luis i Benfikës, 20 vjeç, i kërkuar që në janar nga Milani. Për kartonin e tij ka një klauzolë prej 120 milionë eurosh, por portugezët janë gati të zbresin dhe flitet për 35-40 milionë dhe një huazim dyvjeçar me të drejtë blerjeje. Milanit po ashtu i pëlqen edhe Bakajoko, francezi i Çelsit, 25 vjeç, i cili dëshiron të kthehet në Itali dhe konkretisht te Milani, ku është i bindur se nuk dha më të mirën. Nuk mund të lihet mënjanë Mateo Pesina, 23 vjeç, që vjen pas një sezoni super me Veronën. Milani e vlerëson 12 milionë, por Atalanta që ka kartonin e tij, nuk zbret poshtë 20 milionëve.

Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përgatiti: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë