Futboll

Ibrahimoviç insiston për Antonio Konten në krye të Milanit sezonin e ardhshëm

Gazeta Si – Zllatan Ibrahimoviç po tenton të arrijë një akord me Konten, edhe pse drejtuesit e Milanit preferojnë një tjetër profil trajneri, gjithmonë nëse përfundon historia me Stefano Piolin.

Zërat për Antonio Konten si trajner të ardhshëm të Milanit sa vijnë dhe shtohen. Napoli e kërkon gjithashtu, por trajneri puljez duket se e ka marrë vendimin: sezonin e ardhshëm dëshiron të ulet në stolin kuqezi, në vend të Stefano Piolit. Trajneri i titullit të fundit duket pranë lamtumirës në fund të sezonit. Këto muaj duhet të jenë të fundit për Piolin te Milani.

Ardhja e Ibrahimoviçit, edhe pse si konsulent i RedBird dhe jo si drejtues i brendshëm i klubit, i ka trazuar ujërat. Në fakt, është ish-sulmuesi që dëshiron Konten në krye të stolit të Milanit dhe ai vetë po bisedon për kushtet e kontratës.

Duhet vendosur çdo pjesë në vendin e vet për të plotësuar mozaikun, që nga paga te stafi, duke kaluar tek ambiciet dhe grupi i lojtarëve. Nuk është aspak e thjeshtë, por Ibrahimoviç gjithsesi po provon.

Zgjedhja e Kontes do të kënaqte edhe tifozët ambiciozë. Drejtuesit e klubit në anën tjetër preferojnë një trajner më të ri, një profil si ai i Tiago Motës, kur të ketë përfunduar era e Piolit. Nëse vjen Konte, do të jetë ai që do të vendosë se kush do të qëndrojë dhe kush do të largohet nga Milanelo. Për këtë pjesë ka kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë