Futboll

Ibra barazon Nordahlin, vetëm Van Basten është para 39-vjeçarit

E humbi fundin e ndeshjes në Napoli, sepse një shqetësim muskulor e detyroi të linte skenën, ku Zllatan Ibrahimoviç kishte bërë gjithçka të nevojshme që Milani të fitonte. Një dygolësh me peshë prej një kampioni të vërtetë, si dhe një gol i anuluar për pozicion jashtë loje.

Sulmuesi veteran nxori nga repertori i tij veprime shumë të bukura teknike: gjuajtje e saktë me kokë, duke i vjedhur kohën Kulibalit, dhe devijim i saktë në ajër për golin e dytë. Dy gola që e ngjitin suedezin në krye të klasifikimit të shënuesve më të mirë, duke parakaluar Ronaldon: 10 gola në 6 ndeshje, jo keq për një 39-vjeçar. Askush nuk e ka bërë këtë më parë. Dy gola të rëndësishëm edhe nga pikëpamja historiko-statistikore.

Ibrahimoviç feston një gol ndaj Napolit. Gazeta Si, 23 nëntor 2020

10 gola në 8 ndeshje kampionati te Milani i kishte shënuar një tjetër legjendë, suedezi Gunar Nordahl, në sezonin 1950-1951. Më mirë ka bërë vetëm Marko Van Basten. Holandezi ka shënuar 12 gola në vitin 1992 dhe mbetet, për momentin, para të tjerëve. Për Ibrahimoviçin ishte mbrëmja magjike e radhës, e prishur disi nga dëmtimi, që do ta lërë disa ditë jashtë fushave.

Para ndeshjes sulmuesi kishte bërë shaka për mikrofonët e “Sky Sport”, duke qenë padron i situatës edhe gjatë intervistave. "Pioli na mungon, Bonera ka bërë një punë të madhe në një situatë të re. I kam thënë shpesh 'mos u streso, ke Ibrën'". Javët e fundit është folur edhe për rinovimin e kontratës që përfundon më 30 qershor. “Pas penalltive të humbura, rinovimi është më larg, duhet të vazhdoj të luaj mirë. Kur të dojë Maldini, unë jam gati, kemi kohë", - është shprehur Ibrahimoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë