Rend dhe Ligj

Ia paguan biletat Real-Barcelona, dënohen me nga 2 vite burg 3 gjyqtarët e Durrësit

Me nga dy vite burg janë dënuar tre gjyqtarët e gjykatës së Apelit të Durrësit të akuzuar për korrupsion. Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me nga 3 vite burg tre gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, por duke qenë se procesi është zhvilluar me gjykim të shkurtuar, aplikohet ulja me 1/3 e dënimit. Gjyqtarët Çeno, Spahiu dhe Dhimitri, 5 vite më parë, shkuan në Spanjë, në shoqërinë e biznesmenit, Namik Sadiku, pronari i një kompleksi turistik në Durrës. Udhëtimi u pagua nga ky i fundit dhe përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës.

Biznesmeni Sadiku ishte palë në një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Pas daljes në dritë të skandalit, të tre gjyqtarët u akuzuan për veprën penale “korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të Drejtësisë”. Ata sot u dënuan nga Krimet e Rënda. Për biznesmenin Namik Sadiku, është caktuar dënimi me 1 vit burg. Si prova, Prokuroria radhiti udhëtimet në të njëjtën kohë të tre gjyqtarëve me biznesmenin si në Itali, ashtu edhe në Spanjë si edhe prerjen e biletave të udhëtimit në të njëjtën kompani, së bashku me akomodimin.

Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10-katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sadiku ishte paditur nga ish-ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012. Në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, çështja në fjalë është fituar nga paditësi Oliver Ushina. Ndërkohë, Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, duke i dhënë të drejtë Sadikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë