Libra

“Ia dhuroj këtë libër një të panjohuri”, sfida e re e muajit të leximit

“Libri është si një ilaç”, këto ishin fjalët e Ministres së Kulturës Elva Margariti në hapjen e muajit të leximit. Ajo tha se tetori tashmë nuk është më vetëm muaji rozë i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit por është edhe muaji i leximit. Këtë vit ky muaj ka ardhur me një nismë të re e cila ka për synim të përfshijë më shumë të rinjtë tek libri. Vetë Ministrja Margariti e bëri publike këtë nismë disa ditë më parë, ku u shfaq në një video, me një libër të Mitrush Kutelit në dorë, ku na ftonte ti bashkoheshim në një maratonë leximesh, nën moton “ia dhuroj këtë libër një të panjohuri”. Ajo e vendosi librin në një stol të kryeqytetit, duke i dhënë mundësinë dikujt që të shkojë ta marrë, ta lexojë e ta lërë diku, dhe nominoi për të bërë të njëjtën gjë artistet Inva Mula dhe Ema Andrea dhe sportistin Lorik Cana. Inva Mula iu përgjigj sfidës nga Nju Jorku, ku la mbi një stol një libër në gjuhën shqipe.

Hapja e muajit të leximit u bë sot përballë Bibliotekës Kombëtare, posterat me shkrimin “Tetori i Librit” morën vëmendjen e çdo qytetari që kalonte aty dhe disa madje ndaluan të dëgjonin, në një skenografi që të kujtonte agorat e dikurshme. Përveç prezantimit të Ministres Margariti, për nismën folën edhe Nënkryetari i Bashkisë Andi Seferi dhe studiuesja e letërsisë Alda Bardhyli, e cila kishte zgjedhur të lexonte një fragment nga një libër i shkrimtarit Dritëro Agolli pasi muaji tetor përkon me 88 vjetorin e tij të lindjes.

Ministrja tha se gjëja më e rëndësishme për këtë muaj leximi ishte që kjo nismë të arrinte tek të rinjtë pasi ata janë e ardhmja. Dhe duket se kjo gjë nuk do jetë shumë e vështirë pasi mes gjithë atyre njerëzve të cilët profesioni i lidh me librin, qëndronte dhe një djalë i vogël i cili mbante në dorë librin “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel” të autorit Gaqo Bushaka. Përveçse lexoi një tregim nga libri i tij i preferuar, kjo ishte gjithashtu ishte një ditë e veçantë për të pasi pati fatin të takonte vetën autorin e librit Gaqo Bushakën i cili ishte prezent në takim.

Ndër të tjera Ministrja foli edhe për hapjen e disa bibliotekave dhe dhurimin e vazhdueshëm të librave, jo vetëm gjatë këtij muaji por gjatë gjithë vitit. Nënkryetari i Bashkisë tha se kishte mbi 1 mijë të anëtarsuar nëpër biblioteka nga mosha 15 deri në 35 vjeç dhe ky është një tregues shumë i mirë i fuqisë që po merr libri gjithmonë e më shumë.

Mbi çdo karrige, të cilat kishin formuar një rreth bashkëbisedimi, ndodhej një çantë e vogël. Çanta mbante logon e “Tetorit të Librit” dhe në brendësi të saj, përveç kalendarit të muajit të leximit gjendej gjithashtu edhe një libër. Në çantën time ndodhej libri me poezi “Një buzëqeshje e pabesueshme” i autorit Fatos Arapi. Mendoj që ky ishte një çast i bukur për të kujtuar shkrimtarin e famshëm shqiptar i cili u nda nga jeta në muajin tetor të vitit të kaluar. Ndërsa shfleton këtë libër përballesh me poezi nga më të ndryshmet dhe secila prej tyre të jep një arsye më shumë për ta dashur letërsinë. Secila prej tyre të jep një ndjenjë të ndryshme, secila të jep një mesazh, dhe në fund të fundit, letërsia është e gjitha mbi mesazhet që na jep.

Sindi Bego


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë