Ka ndodhur

I vodhi paratë pacientit me Covid, lirohet infermierja

Gjykata e Apelit në Tiranë ka liruar nga qelia infermieren Ronida Hysi, e cila i zbrazi llogarinë pacientit që ndërroi jetë nga koronavirusi.

Gjykata ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ky vendim është marrë pasi 30-vjeçarja ka një fëmijë të mitur 2 vjeç.

Sipas dosjes hetimore, kamerat e sigurisë të një bankomati në QSUT kanë kapur në orën 08:00 të mëngjesit të datës 25 dhjetor “një vajzë me flokë të kapura, që kishte probleme me të ecurën në këmbën e majtë që kishte kryer veprime me kartën e pacientit Kamber D.”.

Prokurorët kanë administruar pamjet e kamerave të sigurisë së Infektivit ku në orën 07:53 duket duke dalë nga ambientet e spitalit e njëjta vajzë që është parë 7 minuta më vonë tek bankomati në QSUT.

Pasi kanë bërë krahasimet dhe kanë marrë regjistrimin e personave që ishin në shërbim në turnin e tretë tek Infektivi gjatë natës së datës 24 dhjetor, prokurorët kanë konstatuar se e dyshuara ishte pikërisht Ronida Hysi.

Në dosje shkruhet se kur është marrë në pyetje, Ronida Hysi nuk ka mohuar përdorimin e kartës së pacientit duke thënë se portofolin e kishte gjetur në ashensorin e Repartit Infektiv gjatë punës ku aty brenda ishte edhe kodi PIN.

Infermierja Ronida Hysi u arrestua, pas denoncimit në emisionin investigativ “Stop” për vjedhjen e portofolit të një pacienti me Covid-19, si dhe kartën e tij bankare, teksa ky i fundit kishte ndërruar jetë.

Ajo u kallëzua nga djali i të ndjerit me Covid, i cili ka thënë në polici se infermierja ka tërhequr shumën prej 60 mijë lekësh nga karta e pacientit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë