Piloti 32-vjeçar grek, Babis Anagnostopoulos, që vrau gruan e tij 20-vjeçare më 11 maj në Greqi, u dërgua sot përpara prokurorit për t’u njohur me masën e arrestit.
Masa të forta sigurie ishin ndërmarrë për të bërë transferimin e tij. Në pamjet e publikuara nga mediat greke, 32-vjeçari është veshur me jelek antiplumb dhe rrethohet nga disa policë.
Babis Anagnostopoulos u shfaq i qetë kur u njoh me masën e arrestit dhe kërkoi kohë deri të martën për të dalë në gjykatë me qëllim që avokati mbrojtës të ketë kohë të përgatisë mbrojtjen. Kërkesa iu miratua dhe të martën 32-vjeçari pritet që të dalë përpara gjykatës.
Sipas avokatit të tij, Babis Anagnostopoulos ka kërkuar dënim shembullor për krimin që ka kryer. “Ai është i tronditur nga fakti i vrasjes së Karolinës”, tha avokati, duke shtuar se pasi pranoi dhe rrëfeu krimin, klienti i tij u ndje më i qetë.
Ndaj 32-vjeçarit janë ngritur akuzat e vrasjes me dashje, abuzim me kafshët për shkak se kishte vrarë edhe qenin e familjes, pretendim të rremë dhe dëshmi false të dhënë para hetuesve.
32-vjeçari mbyti gruan pas zënkave me të, sikurse tha në hetuesi, sepse i druhej faktit që 20-vjeçarja do t’i kërkonte divorcin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.