Njerez

I veshur me fanellën kuqezi, aktori i njohur amerikan, Danny Glover viziton Akademinë e Arteve

Nga Gazeta Si - Pas vizitës së djeshme në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, aktori dhe producenti i njohur amerikan, Danny Glover ka qenë sot në Akademinë e Arteve në Tiranë.

I shoqëruar nga aktori i njohur, Kastriot Çaushi, i cili është dhe rektor i Akademisë së Arteve në Tiranë, Glover ka parë nga afër ambientet e universitetit dhe ka biseduar me aktorë dhe pedagogë.

Ai ishte veshur me fanellën kuqezi të ekipit kombëtar të futbollit shqiptar, me emrin e tij mbrapa.

Glover, vizitoi një ditë më parë muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Lajmi u bë me dije nga Muzeu Historik dhe Etnografik në Krujë ku ka publikuar në rrjetet sociale foto dhe video nga vizita e producentit të njohur amerikan në këtë muze.

Glover pasi ka vizituar muzeun ka parë edhe filmin e Skënderbeut, i cili transmetohet në muze.

Mësohet se Glover është në vendin tonë për të marrë pjesë në ceremoninë e mbylljes së xhirimeve të serialit “The Prosecutor” me regji të Fatmir Dogës, ku merr pjesë edhe aktori amerikan.

Sipas vetë Dogës, bëhet fjalë për një serial aksion-triler dhe për realizimin e tij është filmuar në disa shtete europiane. Sipas një deklaratë të Dogës në llogarinë e tij në Instagram, seriali i ka kaluar filtrat e disa platformave, si Netflix, Amazon apo Hulu dhe ka potencial të shfaqet në të gjithë botën.

Danny Glover ka pasur një sërë rolesh në filma, skenë dhe televizion, dhe është më i njohur për rolin e rreshterit të policisë së Los Anxhelosit Roger Murtaugh në serinë e filmave aksion “Lethal Weapon”, duke luajtur së bashku me Mel Gibson dhe Joe Pesci.

Më vonë ai luajti edhe një herë me Gary Busey në filmin e suksesshëm Predator 2.

Gjithashtu ka qenë producent në disa filma amerikanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë