Prishtina do të jetë ndalesa e parë zyrtare e spanjollit Josep Borrell, nëse ky i fundit merr zyrtarisht detyrën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme.
Borrell doli këtë të hën para Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Europian. Ai tha se “status quo”-ja nuk mund të tolerohet dhe Bashkimi Europian duhet të marrë me një seriozistet dhe konsideratë më të lartë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova duhet të heqë taksat ndaj produkteve serbe dhe Serbia duhet që të jetë më shumë e sinqertë në tryezën e bisedimeve me Kosovën”, deklaroi Borrell.
Spanjolli Borrell është propozuar si pasues i Federica Mogherinit. Gjatë dëgjesës në Komisionin e PE-së ai tërthorazi qortoi mënyrën sesi diplomatja italiane drejtoi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në lidhje me kohën, vizita pritet që të kryhet pasi në Kosovë të jetë ngritur Qeveria e re dhe të mësohen emrat që do të ulen përballë Serbisë në dialog.
Gjasat janë që njëri prej tyre të jetë Albin Kurti. Kreu i Vetëvendosjes, që doli e para në zgjedhjet e fundit, deklaroi disa ditë më parë se ishte i gatshëm që të bashkëpunojë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, pavarësisht emrit që do të zgjidhej.
Josep Borrell është emri i propozuar nga Spanja, që është një prej pesë vendeve të Bashkimit Europian që nuk njeh ende pavarësinë e Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.