Futboll

“I paoksidueshmi” Bufon, titullar 43 vjeç dhe rinovim për rekordin

Jeta futbollistike e Xhixhi Bufonit është si një rini e përjetshme, jo se ai ndihet një Peter Pan, por sepse nuk ka rreshtur së jetuari me shpirtin e një fëmije këtë sport. Viti 2021 është i 27-i për të në futbollin e nivelit të lartë, thuajse gjithmonë në Serinë A, përveç një sezoni në Serinë B dhe një kampionati francez. Por është edhe viti i 43 qirinjve, që do t’i shuajë nesër.

Më parë Bufon do të zërë vend në portën e Juventusit, ndoshta edhe me shiritin e kapitenit, pasi ndaj Spalit sot në mbrëmje mund të mungojnë Kielini dhe Bonuçi. Do të jetë aty, mes shumë të rinjve, për ta çuar “anijen” bardhezi në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Do të bëhet kështu portieri i dytë italian për jetëgjatësi sportive, pas Balotës, titullar në moshën 44 vjeç, 1 muaj e 8 ditë në ndeshjen Xhenoa-Lacio.

Bufon duke kryer një pritje. Gazeta Si, 27 janar 2021

Rekordi i Balotës nuk është më aq i sigurt, sepse Bufon nuk ka në plan të përmendë fjalën “fund”. Ka kontratë me Juventusin deri në qershor, por gjasat janë të mëdha që të rinovojë edhe për një vit, siç ndodhi pranverën e kaluar. Hera e parë që Bufon përmendi tërheqjen ishte në 2017-ën, kur bëri me dije se po mendonte ta linte futbollin e luajtur pas Botërorit të Rusisë.

"Tani mos më pyesni çdo tri ditë, - u tha ai gazetarëve që insistonin në lidhje me këtë argument gjatë turneut veror në Amerikë. – Këto “tortura” nuk më kanë pëlqyer kurrë”. Tre vjet e gjysmë më pas ai ka thënë me ironi se ka frikë nga dita që çdo futbollist dëshiron që të mos vijë kurrë. Miqve bashkëmoshatarë u thotë se nuk tërhiqet edhe pak për ata, për të treguar se edhe 40-vjeçarët mund të bëjnë gjëra të mira dhe nuk duhen nënvlerësuar.

E vërteta është se Bufon ndihet ende shumë mirë për të lënë mënjanë dorezat. "Kur të ndihem një peshë, do të përshëndetem me të gjithë dhe do të merrem me diçka tjetër", - ka thënë gjithmonë, por ai moment duket ende larg, duke gjykuar nga paraqitja e tij në fushë. Ka luajtur 6 ndeshje këtë sezon, 4 në kampionat, 1 në Ligën e Kampionëve dhe 1 në Kupën e Italisë. Në total ka pësuar 4 gola dhe në 3 ndeshje e ka ruajtur rrjetën të paprekur.

Xhanluixhi Bugon, portieri veteran italian. Gazeta Si, 27 janar 2021

Bufon ishte vendimtar ndaj Parmës dhe në Champions bëri disa pritje të mira ndaj Leo Mesit. Numri 77 po përjeton një moment ndryshe si portier i dytë, ndoshta jo aq i mirë nga ana fizike, por bindës gjithsesi. Xhixhi ka një aftësi për të krijuar empati ndaj shokëve, nuk ka ssnjë trajner që të mos e ketë konsideruar pikë referimi te Juventusi. Edhe me Sarrin, pak i dashur nga “senatorët”, kishte një raport solid. Me ish-shokun e skuadrës, Andrea Pirlo, sintonia është totale, ashtu si dhe me Sheznin, i pari që e “bekoi” rikthimin e tij në Torino.

Zëri i Bufonit ndihet gjithmonë, në fushë dhe jashtë saj. Me të rinjtë është gjithmonë i disponueshëm, i nxit ata, edhe pse ndonjëherë ia humbasin durimin, siç ndodhi gjatë ndeshjes Parma-Juventus, kur lëshoi një shprehje blasfemie ndaj Portanovës dhe për atë frazë shkoi në gjyq.

Bufon dhe Kielini. Gazeta Si, 27 janar 2021

Bufon u bashkua me Juventusin në 2001-shin dhe pas 20 vitesh dhe shumë trofesh të fituar nuk ndihet i ngopur. Me Andrea Anjelin ka një miqësi të vjetër dhe për rinovimin nuk do të jetë nevoja për shumë diskutime: do t’i takojë portierit në fund të sezonit të thotë fjalën e fundit, që në këtë moment është "vazhdoj”. Një sezon më shumë do t’i mjaftojë për të thyer rekordin e Balotës dhe të jetë numri 1 edhe në këtë drejtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë