Politike

I nominuari hungarez për Zgjerimin nuk kalon vettingun e PE

I emëruari i Hungarisë për t’u zgjedhur Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Laszlo Trocsanyi nuk kaloi testin e pasurisë në Parlamentin Europian.

EUObserver raporton se ish-ministri i Drejtësisë në Hungari nuk ka bindur komisionin e çështjeve ligjore në Parlamentin Europian mbi dyshimet e forta për konflikt interesi gjatë kohës që ka drejtuar Ministrinë e Drejtësisë në Hungari, si dhe për mospërputhjet në deklaratat e pasurisë.

Në përfundim, ky komision ka vendosur që me shumicë votash ta rrëzojë emërimin e tij si Komisioner për Zgjerimin.

Tani i takon Presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen që të vendosë nëse do t’i kërkojë Hungarisë që të propozojë një emër tjetër për të njëjtin post, apo do të mirëpriten edhe kandidaturat nga vende të tjera.

Laszlo Trocsanyi duhej të paraqitej në seancë dëgjimore për t'u votuar më pas në Parlamentin Europian më 1 tetor. Por, tani gjasat janë që Ursula von der Leyen të lëvizë me shpejtësi në kërkim të një emri tjetër për këtë post.

Nominimi i ish-ministrit hungarez të Drejtësisë, Lazso Trócsányi si Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin ka qënë lajmi më i mirë i mundshëm që mund të merrte Serbia nga Brukseli, por ekspertët nuk janë të bindur nëse ky është një lajm po aq i mirë edhe për Shqipërinë.

Edhe pse në Tiranë zgjedhja e tij është pritur me skepticizëm, aleatja më e madhe e Hungarisë në rajon, Serbia, ishte e shpejtë për të shprehur kënaqësinë e saj për zgjedhjen e ish-ministrit hungarez.

“Serbia mirëpret zgjedhjen e tij Trócsányi, ne besojmë se është shumë e rëndësishme që dikush nga rajoni, i cili ka një qasje të ekuilibruar, i cili është një mik i vërtetë i Serbisë e të emërohet për këtë pozicion”, deklaroi Presidenti Aleksandër Vuçic të mërkurën. “Ne e dimë që zoti Trócsányi është një njeri i jashtëzakonshëm, punëtor dhe i përkushtuar dhe besojmë se emërimi i tij do të thotë shumë për përparimin e Serbisë “, shtoi presidenti serb.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë