Analize

Negociatat me BE-në në dorë të Viktor Orban?

Pavarësisht zërave se do të ishte Kroacia ose Sllovenia ajo që do të merrte portofolin e Zgjerimit në Komisionin e ri Europian, duket se fati i Ballkanit dhe ai i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jetë në duar e kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Komisioneri i ri i Zgjerimit, hungarezi László Trócsányi është cilësuar gjerësisht nga ekspertët si zgjedhje e gabuar për të çuar përpara integrimin e Ballkanit në BE-së edhe pse vetë Hungaria është një nga mbeshtetëset më të fuqishme të zgjerimit të unionit.

Pasuesi i mundshëm i Johannes Hahn është parë nga kritikët si një nga fajtorët kryesorë për dëmtimin e sistemit të drejtësisë në Budapest, pasi në kohën që shërbeu si Ministër i Drejtësisë ndërmori një reforme shumë të diskutueshme gjyqësore.

Emërtimi i Trocsanyi shihet si triumf i madh për Viktor Orban që do të "zemërojë liberalët e Brukselit" dhe demonstron ndikimin në rritje të Evropës Qendrore në BE. Shtypi hungarez shkruan se Kryeministri Viktor Orban ka çdo arsye të jetë i lumtur pas emërimit të ish-ministrit të tij të drejtësisë, pasi ky portofol ishte ai për të cilin Hungaria kishe lobuar prej kohësh.

Në një konferencë për shtyp të martën pas njoftimit të kandidatëve për komision, Von der Leyen deklaroi se "Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm" dhe se ajo dëshiron që vendet e rajonit të jenë "sa më afër të jetë e mundur me Bashkimin Evropian".

Laszlo Trocsanyi, Gazeta Si, 12 shtator 2019

Presidentja e Komisionit Europian nuk e hodhi poshtë mundësinë që ndonjëri prej gjashtë vendeve të rajonit, Serbi, Mali i Zi, Bosnja, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të anëtarësohen në BE gjatë mandatit të saj.

Në letrën e përzgjedhjes së Trócsánit, Von der Leyen shkroi se ai do të jetë përgjegjës për mbajtjen e një perspektive të besueshme të BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfshirë përshpejtimin e reformave strukturore dhe institucionale, duke vënë fokusin tek sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe reformat e administratës publike.

"Trocsanit gjithashtu duhet të mbështesë të gjitha përpjekjet në luftën kundër korrupsionit në të gjithë rajonin dhe të mbështesë të gjitha përpjekjet drejt marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale", shkroi von der Leyen.

Hungaria, si mbështetëse e patundur e zgjerimit

Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor është tejet i rëndësishëm nga pikëpamja e interesave afatgjata të BE-së. Megjithatë, Brukseli, i preokupuar me problemet e veta si Brexit dhe polarizimi politik, ka hequr dorë nga politikat më ambicioze në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja pse ndikimi i Hungarisë dhe këmbëngulja e saj për integrimin e rajonit po rritet.

Budapesti, por edhe vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Juglindire kanë këmbëngulur se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një domosdoshmëri për të ruajtur besueshmërinë e BE-së në rajon. Hungaria ka qenë shumë e vendosur për mbajtjen e Ballkanit Perëndimor në krye të agjendës, duke u mbështetur në dy argumente kryesore, së pari solidariteti dhe së dyti siguria e Europës Juglindore. Sipas Péter Szijjártó, ministrit të Punëve të Jashtme të Hungarisë, “sa më shumë anëtarë që këtë BE-ja, aq më e fortë do të jetë”.

Victor Orban dhe Laszlo Trocsanyi, Gazeta Si, 12 shtator 2019

Për më tepër, edhe gjatë kohës që Hungaria kishte udhëheqjen e presidencës së Këshillit të BE, ruajti si përparësi integrimin e Ballkanit Perëndimor. Por, kur Brukseli hartoi strategjinë për perspektivën e zgjerimit në fillim të vitit 2018, Orban ishte ndër liderët më këmbëngulës në këtë drejtim,duke sugjeruar që Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Serbia të merrnin pjesë në proceset e politikbërjes përpara pranimit në BE.

Hungaria po e trajton prej kohësh Ballkanin si një prioritet politik dhe ekonomik, sidomos pas forcimit të lidhjeve ekonomike me Serbinë. “Hapja e një ose dy kapitujve në vit është asgjë, por inkurajim. Ne duhet të inkurajojmë këto kombe, duke treguar se jemi të interesuara që ato të bashkohen me BE-në, përndryshe ne do të forconim ndjenjat anti-BE, në rajon”, tha Szijjártó në fillim të vitit 2019. “Është një hipokrizi. Të gjithë thonë se janë të përkushtuar, por kur bie fjala për të marrë një vendim, ata nuk guxojnë të veprojnë,” tha ai në qershor kur u hap kapitulli i fundit i negociatave të Serbisë. “Zgjerimi do të ishte përgjigja më e mirë ndaj tensioneve ekzistuese në rajon. Ne në rajon e dimë saktësisht se sa e rëndësishme është paqja dhe qetësia në rajon”, theksoi ai.

Që nga viti 2016, qeveria hungareze ka subvencionuar “Wizz Air”, linja e dytë ajrore më e madhe në Evropë, të nisë fluturime të drejtpërdrejta nga disa kryeqytete në Ballkanit me Budapestin. Në mars, Budapesti krijoi një fond prej 30 milionë eurosh për të mbështetur investimet hungareze në rajon.

Ekspertët të shqetësuar

Ekspertët për Ballkanin Perëndimor, si dhe figura të shoqërisë civile reaguan menjëherë në rrjetet sociale për të shprehur shqetësimet e tyre të martën për zgjedhjen e tij nga presidentja e re e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Edhe pse Komisionerët pritet të punojnë në interes të BE-së dhe jo qeverisë së tyre kombëtare, disa besojnë se, për shkak të së shkuarës së tij, emërtimi i Trócsánit është parë nga ekspertët si një lajm i padëshiruar për Ballkanin Perëndimor.

Vetë Hungaria ka rënë në statusin e vendeve pjesërisht të lira në Indeksin e Freedom House. Parlamenti Evropian vendosi sanksioneve kundër Hungarisë vitin e kaluar për minimin e vlerave thelbësore të BE-së për sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe shprehjen e lirisë.

“Siç kisha frikë, László Trócsányi, do të jetë përgjegjës për zgjerimin. Si zyrtari që çoi në çmontimin e sundimit të ligjit në Hungari, ai nuk duhet të jetë në Komision, e aq më pak përgjegjës për zgjerimin. Atij i mungon besueshmëria e BE-së dhe agjenda e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor”, shprehet analisti Florian Bieber.

Ursula Von der Leyen dhe Laszlo Trocsanyi, Gazeta Si, 12 shtator 2019

Ndërkohë profesori britanik Laurent Pech hedh dyshime mbi aftësinë e Trocsanyi për të çuar deri në misionin e tij e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

“Zgjedhja e Von der Leyen për Ballkanin hartoi një reformë e cila u censurua nga Parlamenti Evropian sipas nenit 7 të traktatit të BE-së, që synon parandalimin e shteteve anëtare nga dëmtimi institucionet demokratike. Ai njihet si njeriu më besnik ndaj Orbanit”, thotë Pech.

Nga ana tjetër, për Lotte Lecht, drejtori i BE-së për të Drejtat e Njeriut, emërtimi i Trocsanyi ishte "një vendim i egër". Ai thotë se Hungaria nuk do të pranohej kurrë nëse do aplikonte sot për pranimin në BE.

“Nëse Hungaria do të aplikonte sot, nuk do të plotësonte kriteret themelore të të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit për anëtarësimin në BE. PE duhet të përgjigjet”, shkrua eksperti në një postim në Twitter.

Ndërkohë, Srdjan Cvijic, ekspert nga Instituti i Shoqërisë së Hapur thotë së Von der Leyen ka me një siguri një kandidat të dytë ne mendje për portofolin e zgjerimit.

“Orban i propozon ministrin e tij të drejtësisë si një shuplakë BE-së duke e ditur që ai nuk do të kalojë votën në PE. Pyetja e vërtetë është kush është kandidati rezerve? Kjo zgjedhje nga Von der Leyen duket aq e gabuar, saqë duhet të pyesni veten nëse është krijuar për tu hedhur poshtë”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë