Futboll

I njëjti kampion për 9 vjet: Italia mendon play-off-in

Hipoteza u përfol gjatë periudhës së izolimit kur nuk ishte krijuar ende ideja si do të përfundonte kampionati. Por edhe në emergjencë të plotë, hipoteza u përjashtua. Play-off e Serie A duken dy botë të destinuara të mos kryqëzohen kurrë. E megjithatë shumë preferojnë të përjetojnë një sezon më të luftuar e pa sigurinë e një finale të ditur. E jo vetëm mes tifozëve të skuadrave që nuk i kanë ngjyrat bardhezi në fanellë. Pas nëntë vitesh radhazi me të njëjtin klub kampion lind nevoja për ta bërë kampionatin më të ekuilibruar. Federata po mendon që ndoshta të aplikojë play-off për titullin dhe kupat evropiane mes ekipeve të para, dhe një fazë play-out për ato që janë në zonën e rënies, por pa përcaktuar direkt ekipin që bie.

Në SHBA nuk janë menduar gjatë. Në atdheun e mundësive nuk mund të ekzistonte ideja se fitorja nuk mund të jetë një objektiv i zgjeruar për një numër të madh konkurrentësh. Play-off, atje, janë në modë dhe pak rëndësi ka se për çfarë disipline sportive bëhet fjalë, basket, futboll apo edhe futbolli karakteristik i NFL. Në Europë, dy kampionate të një niveli të lartë e kanë zgjedhur këtë mundësi: ai belg e ai skocez, përveçse kampionate më të vegjël si Polonia, Andorra, Bjellorusia, Bullgaria, Qipro, Uellsi, Irlanda e Veriut, Izraeli e Maqedonia.

Në pjesën tjetër të botës spikasin turne me shembuj efikas si Meksika e Peruja. Në Itali, megjithatë, pavarësisht se në Serie B e C aplikohen (edhe pse me formulën e promocionit direkt për atë që është renditur më mirë në sezonin e rregullt), nuk po ndryshohet një mentalitet i rrënjosur dhe vështirë se arrihet në këtë verë të trazuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë