Tire Alldervishi, sanitarja që i mori 8 mln lekë vajzës së pacientes me Covid duke u hequr si infermiere, kërkon lirinë në Gjykatën e Apelit.
Mësohet se Tirja është shprehur se ka qenë e prekur me Covid.
Në kërkesë ajo shprehet se nuk është negativizuar dhe se përbën rrezik për të infektuar edhe të tjerët në burg.
Sanitarja Tire Alldervishi u arrestua pasi i mori 8 milionë lekë të vjetra vajzës së një pacienteje me Covid-19 te “Shefqet Ndroqi”, duke iu prezantuar si infermiere.
Ngjarja
Në emisionin “Stop” u publikua më 12 janar rasti i korrupsionit të sanitares Tire Alldervishi. Ajo ishte hequr si infermiere ndaj një vajze, nëna e të cilës ishte shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” ose siç njihet Covid 2, dhe në këmbim të parave pretendonte se kujdesej për të sëmurën.
Denoncuesja tha se i ka dhënë 8 milionë lekë sanitares që të përkujdesej për të ëmën, por edhe të paguante pjesën tjetër të stafit shëndetësor. Mirëpo ndryshe nga ç’pretendonte sanitarja, e ëma e denoncueses disa ditë përpara se të humbte jetën është ankuar për shërbimin, madje edhe se sanitaret i kanë mohuar ushqimin pasi nuk donin që t’i ndërronin pampersat.
“Mos më le me vdek, jepi lekë ndonjë tjetri. Jam bërë hekur në gojë. S’kam doreza e gërshërë të vogla me pre pampersin se pastrohem vetë”, është një prej mesazheve që e ndjera ka komunikuar me vajzën para se të ndërronte jetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.