Politike

I kujt është Klement Balili?

Ambasadori amerikan në largim, Donald Lu iu rikthye këtë të enjte emrit të Klement Balilit dhe e cilësoi mosarrestimin e tij si shembulli tipik i dështimit të institucioneve ligjzbatuese.

Duke folur në konferencën e bilancit gjashtëmujor të operacionit “Forca e Ligjit”, Lu kërkoi më shumë bashkëpunim me ndërkombëtarët dhe më shumë punë për kapjen e peshqëve të mëdhenj, megjithëse si togfjalësh nuk e përmendi.

Deklarata e ambasadorit amerikan u reflektua në Kuvend, ku mazhoranca dhe opozita po përplaseshin për çështjen e Teatrit Kombëtar. Lulzim Basha ripërsëriti bindjen e tij se negociatat as janë hapur dhe as ka afat për t’u hapur. Fajëson plotësisht Edi Ramën.

“Moshapja e negociatave është rezultat i krimit dhe korrupsionit të Edi Ramës, vendimit të tij të vetëdijshëm për të mbrojtur Saimir Tahirin, Dakon, Xhafën, Balilin e Habilajt dhe të gjithë kokat e krimit, politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin”, tha Basha.

Basha nuk e përmendi emrin e ambasadorit amerikan, por dukshëm apeli i bërë nga foltorja e Kuvendit i drejtohej atij.

“Mos gënjeni veten tuaj zotërinj ambasadorë, sepse shqiptarët nuk gënjehën më. Peshqit e mëdhenj janë në krahun tuaj në çdo pritje zyrtare”, u shpreh ai.

Lulzim Basha mori fjalën pas Taulant Ballës dhe në nisje të saj akuzoi kreun e grupit parlamentar socialist sërish për eurot e sekuestruara në makinat Toyota Yaris.

“Derrkuci i Toyota Auris, jeni përgjuar nga shërbimet e huaja duke bërë pazare me Bacën në Selanik. Jeni përgjuar nga shërbimet e huaja duke dhënë garanci. Ua kanë vënë kryqin nga Berlini në Romë, por kryqin e madh do t'ua vënë shqiptarët”, u shpreh Basha.

Taulant Balla

Balla mori fjalën për replikë. E nisi kundërpërgjigjen nga Klement Balili.

“Gënjeve, por ke treguar që burrëri dhe fjalë nuk ke. Klement Balili në 2009 dhe në 2011 ka qenë kandidati i Partisë Demokratike, në 2013, 2015, 2017 është anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ki burrërinë dhe thuaj të kundërtën. Sa për lidhje me krimin, ditën e martë të pres në gjykatë”, deklaroi Balla, duke iu referuar padisë që ka ngritur kundër kryetarit të PD-së për deklaratat e bëra dy javë më parë.

Më herët, Lulzim Basha foli për një shtet të kapur nga krimi dhe risolli në kujtesë një paralajmërim të bërë muaj më parë.

“Dhjetë muaj më parë paralajmërova 3 gjëra, që pas fazës së kultivimit të kanabisit, krimi do të evoluojë në një fazë të re më të rrezikshme me trafikun e drogërave më të rënda si kokaina dhe heroina dhe mbi të gjitha pastrimin e parave të pista të krimit dhe kapjes së ekonomisë formale. Së dyti paralajmërova se do të shkatërrohej çdo proces demokratik për t’u zëvendësuar me kapjen në dorë të shtetit nga një njeri i vetëm. Së treti, paralajmërova se i vetmi interes që do të kishte Edi Rama do të ishte ruajtja me dhëmbë e me thonj të pushtetit të tij, me çdo mjet që e zhyt thellë e më thellë në krim”, deklaroi ai.

Basha thotë se pavarësisht kësaj, një gjë s'e kishte parashikuar dot; kohën.

“As unë vetë nuk e mendoja që brenda 10 muajve do të provoheshin të gjitha këto, që në një kohë kaq të shkurtër i gjithë shteti do të degradonte, kalbëzohej dhe falimentonte plotësisht”, vijoi kreu i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë