Treg

I ftohti shton “urinë”, po konsumohet energji elektrike më shumë se natën e Vitit të Ri

Konsumi i energjisë elektrike nga ana e popullatës vijon të jetë ende i lartë, madje krahasuar me pikun që merret nga OSHEE si referencë e kërkesës më të lartë për energji që është data 31 dhjetor, e tejkalon konsumin e kësaj date.

OSHEE e shpjegon kërkesën në rritje, me uljen drastike të temperaturave në ditët e para të janarit, por thotë se e ka situatën nën kontroll.

Të dhënat e OSHEE tregojnë se energjia elektrike e injektuar në Rrjetin e Shpërndarjes për muajin janar 2020 (java e I e muajit) arriti në sasinë mesatare = 1GWh ose 900/1000 MWh e krahasuar kjo me janar 2019 (java e I e muajit) kërkesa apo ngarkesa është ulur me rreth 2%, ndërsa në janar 2018 (java e I e muajit) kemi një rritje me 10%.

Kjo sipas OSHEE vihet re nga kushtet atmosferike që kanë qenë në vendin tonë për këtë javë. Por në të njëjtën kohë, kjo ka qenë favorizuese për prodhimin e Hece-ve.

Meqenëse prodhimi i Hece-ve të lidhur në rrjetin e shpërndarjes kanë pësuar një rritje të prodhimit me energji krahasuar me të njëjtën periudhë të janarit 2019, ka sjellë uljen e kërkesës në treg të parregulluar (importi i energjisë).

Totali i energjisë elektrike për OSHEE është siguruar nga:

1- Tregu u rregulluar (KESH sha + Hec Ashta) në sasinë 52 % të totalit të kërkesës për energji
2- Import nga tregu i parregulluar në sasinë 38% të totalit të kërkesës për energji
3- Nga burimet e rinovueshme të energjisë elektrike (Hece dhe impiante fotovoltaik të lidhur me në rrjetin e shpërndarjes) në sasinë 10% të totalit të kërkesës për energji.
Energjia elektrike e injektuar në rrjet nga Tregu i rregulluar plus import transmetohet nga OST për OSHEE ( pra totali i energjisë së transmetuar nga OST për OSHEE është 90%).
Kurse të dhënat nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) raportojnë se prodhimi nga kaskadat e Fierzës, Vaut të Dejës dhe Drinit për ditën e martë ka qenë 12 mijë e 600 MWh.

Kurse të mërkurën kaskadat kanë prodhuar gjithsej 12,544 MWH.

Drjetori i Divizionit të Shpërndarjes në OSHEE Petraq Lika, shpjegon për gazetën “Si” se moti i ftohtë i shoqëruar me erë të fortë, ka detyruar shoqërinë të stakojë fiderat për të rregulluar problemet e shkaktuara në rrjet.

Sipas tij OSHEE ka një plan të përcaktuar masash sipas standardeve ndërkombëtare për emergjencat natyrore, megjithatë problematikat e shkaktuara nga “tërbimi” i motit bënë që në datën 5 të ishin pa energji elektrike 68 mijë abonentë, në datën 6 pa energji elektrike kanë qenë 60 mijë abonentë. Ditën e martë energjia elektrike u ka munguar 11 mijë abonentëve, kurse dje, të mërkuraën kanë përjetuar mungesë të energjisë elektrike 1880 abonentë.

Sipas OSHEE, zonat më të prekura janë Tirana, Durrësi. Fushë-Kruja, Laçi, Burreli dhe Rrësheni. Gjatë ditës së hënë problemet në furnizimin me energji u zhvendosën në lindje të vendit; Elbasan, Pogradec, Korçë.

Një pjesë e stakimeve, thotë OSHEE është bërë për të shmangur dëmtimet e rrjetit, ndërsa koha e riparimit të defekteve ka zgjatur mesatarisht 40 minuta.

Të dhënat e OSHEE për ditën e sotme tregojnë se shoqëria ka stakuar 4 fidera duke lënë pa energji 2187 abonentë dhe megjithëse temperaturat kanë ardhur në rritje, kërkesa për energji vijon të mbetet e lartë.

Sipas drejtorit Lika situata është nën kontroll dhe OSHEE e përballon rritjen e kërkesës për energhi për shkak të investimeve të kryera në stacione dhe kabina.

“Ne bëjmë vlerësime dhe planifikime që ti paraprijmë situatave. Por ka edhe momente të vështira të paparashikuara si ai i 2016-ës, kur pati një rritje 20% të kërkesës mbi pikun e 31 dhjetorit 2015-të”, shprehet drejtori Lika.

Nëqoftëse kërkesa rritet me 40 mega – thotë Lika – “ai ka investim 80 mega të stacionit të Kombinatit, etj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë