Ne rrjet

I dërguari i Trump për Kosovën, emërohet në krye të inteligjencës amerikane

Dialogu Kosovë-Serbi duket se merr një kthesë tjetër pasi presidenti amerikan Donald Trump “ngriti në detyrë” Richard Grenell, të Dërguarin Special për këto bisedime. Ambasadori i SHBA-ve në Gjermani është emëruar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë si Drejtorit i Zbulimit Kombëtar.
"Jam i lumtur t’ju njoftoj se ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard Grenell, do të bëhet ushtrues detyre i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar. Rick ka përfaqësuar vendin tonë në mënyrë të jashtëzakonshme dhe mezi pres të punoj me të", ka shkruar presidenti Trump në Twitter.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar shërben si mbikëqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e njohura prej të cilave është Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA). Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1230287397377626112?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1230287397377626112&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.evropaelire.org%2Fa%2F30444726.html

Emërimi i tij ishte i papritur, pasi Grenell ka arritur përparime të mëdha në dialogun Kosovë-Serbi, duke i bindur të dyja palët të rinisin fluturimet direkte dhe të rindërtojnë hekurudhat dhe një autostradë për të lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve.

Posti i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar duhet të konfirmohet nga Senati amerikan. Nuk është e qartë nëse ambasadori Grenell do të marrë miratimin për t’u konfirmuar në këtë post, pasi shumë senatorë kanë shprehur rezerva për shkak të punës së tij në Gjermani.

Një nga njerëzit e tij më të afër në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se emërimi i ambasadorit Grenell në krye të Zbulimit Kombëtar është një zgjedhje e shkëlqyer nga ana e presidentit, Donald Trump.

Donald Trump dhe Richard Grenell, Gazeta Si, 2020

“Ambasadori Grenell ka bërë një punë të jashtëzakonshme si i dërguar i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Rick, të uroj suksese të mëdha në misionin e ri për ta bërë SHBA-në dhe botën më të sigurt”, ka shkruar Thaçi.

Por reagimet në Uashington nuk kanë qënë pozitive. Senatori demokrat, Mark Warner, i cili është pjesë e Komitetit të Inteligjencës së Senatit, tha se emërimi ishte me sa duket "një përpjekje për të anashkaluar autoritetin kushtetues të Senatit për të këshilluar dhe miratuar pozicione të tilla kritike të sigurisë kombëtare."
Warner tha gjithashtu se "presidenti ka zgjedhur një individ pa përvojë në çështjet që lidhen me inteligjencën. Grenell, një mbështetës i zëshëm i politikave të presidentit Trump, zëvendëson Joseph Maguire, i cili ka shërbyer si ushtrues detyre i drejtorit të Zbulimit Kombëtar, që nga gushti.

Maguire u emërua në këtë pozitë, pas dorëheqjes së Dan Coats.

Grenell pritet te marrë këtë detyrë pa mbushur ende një vit pasi presidenti Trump, e emëroi si të dërguar të administratës së tij për dialogun Kosovë-Serbi.

https://twitter.com/HashimThaciRKS/status/1230407496558415872?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1230407496558415872&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.evropaelire.org%2Fa%2F30444726.html

Disa muaj më pas, nën ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd. Po ashtu ai ndërmjetësoi edhe marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhave përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka quajtur fitore marrëveshjen për rikthimin e fluturimeve të drejtpërdrejta mes Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori Grenell, është zotuar se në misionin e tij ndërmjetësues, do të fokusohet që Prishtina dhe Beogradi t’i tejkalojnë çështjet e hapura nëpërmjet investimeve ekonomike, për të kaluar më pas drejt arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. Por me largimin e tij, Kosova dhe Serbia humbasin një “ndërmjetësues” të fuqishëm apo deri në konfirmimin e tij në senat mund të përshpejtohet arritja e marrëveshjes finale Prishtinë-Beograd?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë