Politike

I dërguari i SHBA mbyll takimet: Dialog për reformën zgjedhore

Takimi i Kryeministrit Edi Rama me drejtorin e Zyrës për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik zgjati rreth një orë e gjysmë dhe ai ishte i fundit i serisë së takimeve që zyrtari amerikan zhvilloi këtë të mërkurë në Tiranë.

Kostelancik nuk ka komentuar asnjë prej takimeve, ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës deklaruan se zyrtari amerikan i mëshoi reformës zgjedhore dhe përforcoi mbështetjen amerikane për reformën në drejtësi dhe opozita rëndësisë së partneritetit strategjik me SHBA dhe mungesa e shtetit ligjor në Shqipëri.

SHBA kërkon nisjen e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare, duke u fokusuar te reforma zgjedhore. Kjo mësohet se ka qenë kërkesa e zyrtarit të lartë DASH, David Kostelancik gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Zyrtari amerikan shoqërohej nga e ngarkuara me punë e ambasadës Leyla Moses-Ones. Situata politike dhe reformat e ndërmarra mësohet se kanë qenë në qendër të bisedimeve mes Ruçit dhe zyrtarit të DASH.

Zyra e shtypit e Kuvendit bën të ditur se pas takimit afro një orë, Kostelancik nënvizoi se SHBA e konsideron Shqipërinë si një aleat strategjik në NATO dhe e vlerëson shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me të. Ai vuri në dukje nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë e për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësoje edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020. Sa i përket reformës në Drejtësisë Kostelancik nënvizoi mbështetjen e SHBA-së, duke theksuar se “Institucionet e reja të sistemit do tu shërbejnë qytetarëve sot e në të ardhmen dhe do të mundësojnë që shqiptarët të jetojnë në paqe e mirëqenie. Vettingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga SHBA”.

Ruçi në takimin me zyrtarin e DASH


Duke u ndalur në kontributin e ShBA-së në reformën në drejtësi, z. Ruçi nënvizoi se kjo reformë nuk do të ishte e mundur pa këtë mbështetje. Kryeparlamentari vlerësoi faktin që SHBA vazhdojnë ta kenë me prioritet në fokus rajonin e Ballkanit Perëndimor, çka e konfirmoi edhe emërimi nga sekretari Pompeo i Matthew Palmer, si i dërguar special për rajonin. “Nënvizimi nga Palmer në Forumin e Bledit të Slovenisë i çeljes së negociatave të BE-së me Shqipërinë si një prioritet i SHBA-ve në rajon është me shumë rëndësi për ne dhe një mbështetje e madhe për rrugëtimin europian të Shqipërisë”, theksoi Ruçi në takim.

Drejtori David Kostelancik, sipas njoftimit për shtyp falënderoi Kryeparlamentarin Ruçi për vlerësimin e kontributit të SHBA-ve dhe Ambasadës në Tiranë për thellimin e reformave për transformimin e Shqipërisë dhe vuri në dukje se Ballkani është me rëndësi jetike për SHBA, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Sekretarin Pompeo.
Ruçi nga ana e tij ka garantuar zyrtarin e lartë të DASH se shumica qeverisëse dhe ai personalisht janë të angazhuar përkryerjen e reformës zgjedhore dhe për këtë do të bashkëpunojë edhe me opozitën parlamentare e jo parlamentare, e cila ka të drejtën e vetos në komisionin e ri të reformës.

Kostelancik ka pasur edhe një takim më vete edhe me kryetarin e grupit parlamenter të PS-së, Taulant Balla.

Balla në takimin e sotëm

Takimi me Bashën dhe Kryemadhin

Zyrtari i lartë i DASH, pas “përballjes” me kryeparlamentarin Ruçi, ka marrë rrugën drejt selisë blu për t’u takuar me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Takimi me liderin e opozitës ka zgjatur për rreth një orë.

Lulzim Basha e komentoi në Twitter dhe në gjuhën angleze diskutimin me zyrtarin e DASH.

“Një bisedë shumë e sinqertë dhe konstruktive me David Koselancik, drejtorin e ri të Zyrës për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit. U përqëndruam tek dhënia fund e pandëshkueshmërisë për politikanët dhe rivendosjen e sundimit të ligjit, dhënien fund të kapjes së shtetit dhe korrupsionit dhe forcimin e partneritetit strategji Shqipëri-SHBA”, shkruan Basha.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1169265222256865280

Partia Demokratike nuk dha ndonjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë, por çështja e reformës zgjedhore, qëndrimet e opozitës sa i përket krizës politike kanë qenë në fokusin e diskutimeve. Tashmë SHBA ka një kërkesë të qartë ndaj partive politike për diskutuar në lidhje me reformën zgjedhore.

Kryetari Basha gjatë takimit me David Kostelancik, Drejtor për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit. Gazeta SI, 4 shtator


Basha në këta takim ka qenë i përfaqësuar edhe me sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe nga shefi i Prokotollit të PD-së, Dorjan Teliti. Kryedemokrati Lulzim Basha ka preferuar që vetëm të bëjë një postim në rrjetet sociale, sa i përket takimin me David Kostelancik, Drejtor për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit.
Basha ka preferuar që ta përcjellë vetë zyrtarin e DASH, duke mos pranuar që të japë ndonjë koment për median. Kostelancik më pas iu drejtua selisë së LSI-së, për t’u takuar me kryetaren e kësaj partie, Monika Kryemadhi.

Pas përfundimit të këtij takimi, LSI shpërndau për mediat qëndrimin që Monika Kryemadhi ka mbajtur përballë zyrtarit amerikan për nevojën urgjente të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

“Shqipëria ka nevojë kritike për hapjen e negociatave në tetor. Hapja e negociatave është e kushtëzuar vetëm me zgjedhje të lira e të ndershme. Për këtë arsye, zgjedhjet duhet të zhvillohen sa më parë dhe me standarte, pasi kjo është e vetmja rrugë për integrimin europian të Shqipërisë”, u shpreh kryetarja e LSI Monika Kryemadhi në lidhje me krizën aktuale politike e institucionale që ka përfshirë vendin.

Kryemadhi priti ne seline e LSI, zyrtarin amerikan, David Kostelancik. Gazeta Si, 4 shtator 2019

Më herët përpara takimit me zyrtarin e DASH, pati një takim me dy drejtuesve kryesorë të partive të opozitës, Basha dhe Kryemadhi. Pas këtij takimi që të dy u shprehën në unision se opozita nuk do të ndalet dhe se aksioni politik përmban nisjen e protestave. Nuk dihet nëse kjo axhendë do të jetë pjesë e aksionit të opozitës pas këtij takimi me zyrtarin e DASH, i cili duket se i ka dhënë një mesazh të qartë si opozitës , ashtu dhe mazhorancës sa i përket krizës politike që po kalon Shqipëria prej më shumë se një viti që u kulmua në shkurt me dorëzimin në bllok të mandateve të deputetëve të opozitës.

Në orën 17:00, zyrtari i Departamentit të Shtetit mbërriti në Kryeministri për të zhvilluar takimin me Kryeministrin Edi Rama.

David Kostelancik, Drejtor për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit dhe Basha në selinë e PD-së me . Gazeta SI, 4 shtator

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë