Politike

Opozita e re: Gjiknuri të ikë nga reforma zgjedhore, të zgjidhet kriza bashkë me PD

Opozita e re i vendos kushtet mazhorancës sa i përket reformës zgjedhore. Deputeti demokrat Alban Zeneli në një konferencë për mediat i kërkoi mazhorancës që ta largojë Damian Gjiknurin nga drejtimi i komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Për deputetin e opozitës së re nuk ka kuptim që Gjiknuri të drejtojë komisionin e posaçëm të reformës në një kohë që ai është personi i akuzuar për shitblerjen e votave dhe kjo e nxjerrë edhe nga dosja e përgjimeve të publikuara nga prestigjiozja gjermane “Bild”. “Vërej me habi se ndonëse në Dosjen e Përgjimeve të Dibrës kemi dëgjuar me zë krejt qartazi Damian Gjiknurin, Partia Socialiste vijon ta mbajë këtë njeri në krye të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Një njeri i akuzuar dhe dëgjuar si i përfshirë në "krim elektoral", nuk mundet kurrsesi të vijojë të mbajë pozicionin e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Reformë Zgjedhore me bashkëkryetar Damian Gjiknurin nuk mund të ketë, nuk duhet të ketë dhe nuk do të ketë. Largimi i menjëhershëm i Damian Gjiknurit nga bashkëkryesimi i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore është detyrim parësor i të gjithë neve në këtë Sesion të ri Parlamentar”, deklaroi Zeneli.
Ndërkohë Reforma Zgjedhore sipas deputetit të opozitës duhet të jetë kryefjala e të gjithë politikës shqiptare dhe e këtij Kuvendi dhe jo veteem peer fasadee siç eeshtee perdorur e po peerdoreet peer fat tee keq.
Zeneli gjithashtu ka bërë thirrje që të zgjidhet sa më parë kriza politike në Shqipëri, duke ftuar edhe PD-në që ndodhet jashtë Parlamentit. “Të ulemi të gjithë së bashku sa më parë për të përmbyllur reformat e mëdha që ua kemi detyrim Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kemi humbur mjaft kohë deri tani me ciklime e riciklime krizash politike dhe institucionale duke iu shmangur kësisoj detyrimit tonë bazik për të përmbushur misionin për të cilin jemi në politike dhe për të cilin na duhet tu japim llogari shqiptarëve. Në Sesionin e kaluar Parlamentar, ka ndodhur një nga zhvillimet më dramatike dhe të padëshiruara jo vetëm për demokracinë shqiptare. Opozita mori një vendim ekstrem duke djegur mandatet dhe deputetë të rinj opozitarë të listave vijuese iu bashkuan këtij Kuvendi”, theksoi Zeneli.
Opozita e re në këtë sesion të ri ka kërkuar gjithashtu që mazhoranca e re të mos nxitohet sa i përket shkarkimit të presidentit Meta. Deputetët e saj kanë kërkuar që më parë të plotësohet Gjykata Kushtetuese dhe më pas të vijohet me punën e komisionit hetimor. Për opozitën e re asnjë vendim nuk duhet të merret, pasi mund të krijonte vakuum me institucionin e Presidencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë