Ekstradohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës një shtetas shqiptar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Interpol Tirana, Shërbimi Diplomatik i Sigurisë (DSS) dhe Zyrës së Hetimeve Kriminale (OCI) në Ambasadën e SHBA-së Tiranë kanë realizuar kapjen dhe ekstradimin e shtetasit shqiptar, i cili kërkohej në Shqipëri për veprën penale “Vjedhja, me pasojë vdekjen”.
Siç njofton policia, ai pasi kishte kryer krimin, ishte larguar nga Shqipëria dhe ishte futur në rrugë ilegale në Shtetet e Bashkuara, por me anë të këtij operacioni të përbashkët është kthyer tashmë në Shqipëri për t’u përballur me sistemin e drejtësisë.
Bëhet fjalë për shtetasin Arlind Hyseni, 34 vjeç, lindur në Pukë.
34-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e ka dënuar me 25 vite burgim, për veprat penale “Vjedhja, me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Ngjarja ka ndodhur më 12 korrik të vitit 2004 ku rreth orës 03:00, në vendin e quajtur rruga “Besa”, Tiranë, Arlind Hyseni, në bashkëpunim me shtetasin F. M. ka tentuar të kryejë vjedhje me armë në banesën e shtetasit M. S. Pas rezistencës së bërë nga banorët, autorët kanë shtënë me armë zjarri, duke vrarë shtetasin G. S. dhe plagosur rëndë shtetasit M. S. dhe H. S.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.