Ka ndodhur

I biri i akuzuar për vrasjen e biznesmenëve në Laç, i bëhet atentat babait të tij në Mamurras

Një 60-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në Mamurras mesditën e kësaj të enjteje.

Policia thotë se bëhet fjalë për Myslim Likaj, banues në fshatin Gjorëm, Kurbin, babai i Ilir Likajt (Xhepaj), i cili është bashkëpunëtori i Eduart Lamaj.

Ky i fundit është një emër i njohur për drejtësinë dhe policinë, pasi akuzohet se ka pasur rolin e ekzekutorit për vrasjen e dy biznesmenëve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika, ngjarje e ndodhur më 30 maj të vitit të kaluar.

“Rreth orës 13:25, në Mamurras, Kurbin, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi M.L.,60 vjeç, banues në fshatin Gjorëm, Kurbin i cili është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën”, thotë policia në njoftimin e saj.

60-vjeçari Myslim Lika po kthehej nga varrimi i së motrës kur iu bë atentat dhe u plagos me 3 plumba. Rrethanat e kësaj ngjarjeje janë ende të paqarta, ndërsa policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj.

Prokuroria dje ka mbyllur hetimet për vrasjen e dy biznesmenëve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika.

Nën akuzë janë 6 persona, për vrasje në rrethana cilësuese, 2 të arrestuar dhe 2 në kërkim, ndërsa në detyrim paraqitje janë 2 mjekë.

Në pranga kanë rënë Ilir Xhepaj e Eduart Lamaj, në kërkim Klaudio Perkola e Elson Alija, kurse në detyrim paraqitje janë lënë mjekët Besim Lama dhe Viktor Marku.

Mjekët Lama dhe Marku mjekuan Eduart Lamajn në një spital privat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë