Drejtësia

I akuzuar për vrasjen e Ahmet Toskës në Fier, Fatmir Hoxha shpallet i pafajshëm nga gjykata

Gazeta Si - Pas 3 vitesh në burg, Fatmir Hoxha ka fituar lirinë, pasi Gjykata e Fierit vendosi ta shpallë 54-vjeçarin të pafajshëm, për vrasjen e Ahmet Toskës, ngjarje e ndodhur më 26 tetor të vitit 2020 në Fier.

Hoxha ka insistuar vazhdimisht në pafajësinë e tij duke u shprehur se është ngritur nga gjumi në orën 08.00, ndërkohë që vrasja ka ndodhur në orën 06.00.

“Nuk ka prova që e kam kryer unë vrasjen”- ka thënë ai në gjykatë. Hoxha fitoi pafajësinë pas rigjykimit të kësaj çështje nga gjykata dhe një ri-inspektim i provave (pamje filmike të kamerave të sigurisë, veshjet, etj) që rrëzonin akuzat për autorësinë e tij. Në përfundim, gjykata u pajtua se nuk ka prova bindëse që vrasja është kryer prej tij.

54-vjeçari Hoxha ka lënë pasditen e sotme ambientet e burgut të Fierit. Që prej momentit  të parë kur u arrestua, ai nuk e pranoi asnjëherë autorësinë për vrasjen.

Ai u arrestua 14 nëntor të atij viti në aeroportin e Rinasit, teksa po kthehej nga Italia, ku jetonte prej vitesh. Sipas avokates së tij, 54-vjeçari po kthehej për të sqaruar akuzat e ngritura ndaj tij.

Ahmet Toska u ekzekutua më 26 tetor në orën 06:00 të mëngjesit, teksa po shoqëronte bashkëshorten për në punë për motive ende të paqarta. Tashmë edhe autori i vrasjes së tij mbetet ende i pazbuluar, njësoj si arma e krimit.

Një person i maskuar iu afrua dhe e qëlloi me një plumb në kokë. Pamjet filmike dhe gjurmët e barutit në veshje ishin provat e prokurorisë, në bazë të së cilave kërkoi masën e sigurisë arrest me burg ndaj Hoxhës, i cili fitoi pafajësinë pas 3 vjetësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë