Lajme

I akuzuar për vrasje në Angli, arrestohet në Durrës 23-vjeçari

Një 23-vjeçar me origjinë nga Kukësi është arrestuar në Durrës për llogari të Mbretërisë së Bashkuar ku akuzohet për vrasje.
Falë operacionit policor “EAGLE” u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i përkohshëm me qëllim ekstradimi i shtetasit shqiptar E. S., 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Xhafzotaj, Shijak.
Autoritetet gjyqësore britanike kanë përcjellë kërkesën për lokalizimin dhe arrestimin e këtij shtetasi, në bazë të Urdhër Arrestit të datës 05.01.2018 të Gjykatës së Magjistratëve në Westminster/Mbretëri e Bashkuar, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprën penale “Vrasje”, parashikuar nga Kodi Penal Britanik.
Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë po kryejnë të gjitha procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Ky është rezultati i parë pas Marrëveshjes dypalëshe, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut, ratifikuar me Ligjin nr. 93/2017 që plotëson Konventën Europiane të Ekstradimit të vitit 1957.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë