Lajme

I akuzuar për gjobëvënie, kapet në Rinas mafiozi kinez

Policia Kufitare në bashkëpunim me Interpol Tiranën ka vënë në pranga në Rinas një 25-vjeçar kinez, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Policia bën me dije se shtetasi me iniciale G. L ishte në kërkim që prej 23 prillit të këtij viti. 25-vjeçari është arrestuar me qëllim ekstradimin e tij drejt Kinës për veprën penale “Gjobëvënie”. Maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është 10 vjet burg.
Siç njofton policia, Zyra e Sigurisë Publike të Bashkisë së Goazhou, në Kinë, ka zhvilluar hetime, ndaj një grupi kriminal, të tipit mafioz, të cilët merrnin përfitime ekonomike nëpërmjet dhënies me kamatë, hapjes së kazinove, kumarit dhe marrjes me dhunë të borxheve.
Shtetasi G. L, është një prej anëtarëve kryesorë të këtij grupi.
Në vitin 2013, ky shtetas së bashku me pjesëtarë të tjerë të grupit, kanë rrëmbyer shtetasin X. L, duke e detyruar atë të ripaguajë një borxh, në vlerën e 3.8 milionë Yuan kinez.
Në vitin 2014, në të njëjtën mënyrë ka detyruar shtetasin Ë. H, që të paguajë një hua duke e detyruar atë të shesë 23 suita, 40 vendparkime dhe 6 automjete me çmimin shumë të ulët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë