Futboll

Hysaj flet me diplomaci për të ardhmen, largimi nga Napoli duket i sigurtë

Për të ardhmen e Hysajt, mbrojtësit dhe kapitenit të Kombëtares, është folur shumë, por duket se po vjen momenti që ai të ndryshojë skuadër. Vetë lojtari ka folur me diplomaci të mërkurën, para se të zbriste në fushë për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë.

"Duhet të respektoj kontratën deri në fund të sezonit dhe pastaj do të mendoj për të ardhmen time. Shpresojmë ta përfundojmë këtë kampionat në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam i përqendruar te Napoli, jam këtu prej vitesh dhe nuk mund të mendoj për gjëra të tjera tani”, - ka theksuar Elseid Hysaj për mikrofonët e “Rai”-t para ndeshjes së Kupës së Italisë me Atalantën, ku Napoli barazoi 0-0.

Hysaj, duke festuar një gol të Napolit me ekipin. Gazeta Si, 4 shkurt 2021

Nga fjalët e mbrojtësit shkodran nënkuptohet se ai e sheh të ardhmen diku tjetër, por dëshiron të respektojë Napolin deri në fund për gjithë këto vite që ka kaluar. Në të kaluarën, emri i futbollistit të Kombëtares është përmendur në Angli dhe në Spanjë, te klube të mëdha si Çelsi, Totenhem dhe Atletiko Madrid, por lëvizja nuk u bë e mundur në asnjë rast.

Kontrata e Hysajt me Napolin skadon në fund të këtij sezoni dhe ai konsiderohet si një nga mundësitë më të mira në merkaton e verës për t’u blerë me parametra zero. Për mbrojtësin e djathtë ka pasur interes edhe në Serinë A, së fundi nga Roma, por kjo skuadër sapo ka blerë amerikanin Reinold, që luan pikërisht në pozicionin e Hysajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë