Sport

Humbje shokuese për Serena Uilliams, më e rënda në karrierë

Një lajm i befasishëm për  të apasionuarit e tenisit nga turneu i San Jose në USA. Serena Uilliams, fituese e 23 Slemeve, aktualisht numri 26 në botë dhe finaliste e Uimbëlldonit 15 ditë më parë, ka pësuar humbjen më të rëndë në karrierën e saj nga britanikja Johana Konta. Tenistja amerikane është mundur 6-1 dhe 6-0 me sete në 52 minuta nga Konta, tani numri 48 në botë dhe fituese në Kaliforni në vitin 2016. Prej vitesh nuk ndodhte që Serena Uilliams të mos fitonte një gejm në një set. Paraqitjet e saj më të dobëta kanë qenë 6-1, 6-1 në vitin 1998, në kualifikueset e Oklahoma Stit, kundër Kruger, dhe 6-0, 6-2 kundër Halep në “Masters 2014”. Kjo ishte hera e fundit që Serena e kishte mbyllur një set me shifrën 0, pa fituar asnjë gejm.

Serena Uilliams uron anglezen Konta për fitoren

Paraqitje katastrofike

Një ndeshje e pabesueshme për Serena Uilliams, në sensin negativ. Serena kishte shërbimet në gejmin e parë të ndeshjes dhe që në atë moment u kuptua forma e saj e dobët. 12 gejme radhazi të humbur. Ish-numri 1 i ka bërë shërbimet shumë keq, ka shkaktuar shtatë dopio faulle dhe nuk ka gjetur kurrë përmasat e duhura në goditjet nga fundorja. Edhe kur provoi të ndryshonte strategji, duke përdorur topat e shkurtër, gjeti vetëm rrjetën.

Serena Uilliams gjatë ndeshjes

Në fund, 25 gabime të saj që sollën edhe zhgënjimin e madh të publikut, i shokuar nga një ndeshje e tillë nga një teniste që kishte fituar turneun në tre pjesëmarrjet e saj të fundit, në vitet 2011, 2012 dhe 2014.  “Besoj se ajo (Konta) luajti shumë mirë në setin e  dytë. Në të parin unë nuk isha shumë e përqendruar dhe ajo përftoi në mënyrën më të mirë. Mund të luaj shumë më mirë. Kam një milion gjëra në mendje dhe nuk kam kohë ta vuaj kaq shumë këtë disfatë. Dua të vazhdoj përpara dhe të luftoj. Dua të marr atë që ishte pozitive nga ky turne”, - ka thënë Serena Uilliams pas humbjes së rëndë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë