Futboll

Humbja ndaj Kukësit, Laçi shkarkon Cungun

Armando Cungu është shkarkuar nga drejtimi i Laçit. Pas disfatës në Elbasan ndaj Kukësit, palët kanë ndërprerë bashkëpunimin mes tyre, pas rezultateve negative të këtij fillim sezoni. Më herët  ishte njoftuar se lojtarët e Laçit, stafi drejtues dhe presidenca do të mblidheshin në një analizë të thellë të situatës. Mesa duket është gjetur edhe përgjegjësi. Fatura i është lënë trajnerit Cungu.

Armando Cungu, mori drejtimin e skuadrës tetorin e viti të shkuar, teksa zuri vendin e Sulejman Starovës. Humbja e djeshme ndaj Kukësit, dhe starti negativ me vetëm 3 pikë në 4 ndeshje e para, ka zhgënjyer tej mase drejtuesit bardhezi, të cilët kanë vendosur shkarkimin e Cungut.

45- vjeçari e drejtoi skuadrën kurbinase në 38 ndeshje, duke regjistruar 21 fitore, 7 barazime dhe 10 humbje. Edhe disa javë më parë, pati një përplasje mes drejtuesve të Laçit dhe trajnerit Cungu, pas barazimit në sekondat e fundit ndaj Kastriotit, por disfata ndaj Kukësit duket se i ka vënë vulën “divorcit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë