Lajme

Humbi penalltinë vendimtare, kërcënohet me jetë lojtari i Kolumbisë

Një nga “rregullat” më të njohur në botën e futbollit? Nuk duhet të kesh frikë të gjuash një penallti, edhe pse mund të ketë pasoja, nëse nuk arrin të realizosh gol. Për fat të keq, ka edhe pasoja të rënda, si nga pikëpamja sportive, sepse ndonjëherë një penallti tregon kufirin e “padukshëm” mes fitores dhe humbjes, por edhe nga ana psikologjike. Janë të njohura historitë, kur shumë futbollistë nuk kanë mundur ta marrin veten, pasi kanë humbur një penallti të rëndësishme. Pastaj, ka edhe histori që nuk duhej të tregoheshin kurrë, por që herë pas here ndodhin.

“Associated Press” bën me dije se mbrojtësi i Kolumbisë, Uilliam Tesilo, është kërcënuar me jetë pas penalltisë së humbur ndaj Kilit, që i kushtoi ekipit të tij eliminimin nga Kupa e Amerikës. Bashkëshortja e futbollistit kolumbian ka postuar në Instagram mesazhet kërcënuese ndaj Tesilos. Ajo i druhej faktit se kërcënimet do të shtoheshin, duke parë mesazhet e shumta në rrjetet sociale. Babai i futbollistit ka folur shumë i shqetësuar për këtë ngjarje, sipas asaj që shkruan “Marca”. “Për kërcënimet ndaj tim biri nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër, veçse të lutemi. Duhet të kuptojmë se është vetëm futboll, ku mund të fitosh dhe mund të humbësh”.

Uilliam Tesilo, mbrojtësi i Kolumbisë

Kërcënimet me jetë për futbollistët janë një histori e njohur, veçanërisht në Kolumbi. Në memorien e të gjithë të pasionuarve të futbollit është e njohur ajo që i ndodhi Andres Eskobarit, autorit të autogolit që i kushtoi Kolumbisë eliminimin nga Botërori i Amerikës në vitin 1994. Mbrojtësi i konsideruar “fajtor” për humbjen ndaj ekipit organizator, u ekzekutua me breshëri automatiku pak ditë pas kthimit në Kolumbi. Dhe është pikërisht kjo arsyeja që i bën vërtet të frikshme kërcënimet e fundit ndaj Tesilos. Disa prej kërcënimeve ndaj mbrojtësit fatkeq që humbi penalltinë, i referoheshin historisë së Eskobarit, ndaj dhe familja e Tesilos është e frikësuar maksimalisht. Ndoshta është më mirë që lojtari i Kolumbisë të mos i bëjë pushimet në vendin e tij, por të shkojë direkt në Meksikë, ku luan me skuadrën Leon. Duke parë të kaluarën, “të besosh është mirë, por të mos besosh është më mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë