Lajme

Humbën kontaktet në Theth, gjenden tre turistët anglezë

Tre turistë anglezë, të cilët ishin nisur për në zonën malore të Thethit, kanë humbur duke dhënë alarmin në polici.

Policia lokale bën me dije se turistët mbrëmjen e djeshme kanë humbur komunikimin mes tyre në zonën e quajtur Qafë Thore dhe kanë kërkuar ndihmën e Policisë.

Por pas disa orë kërkimesh, ata janë gjetur nga shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.

“Në bashkëpunim me banorët e zonës, policia është vënë në kërkim të turistëve dhe pas disa orë kërkimesh, tre turistët anglezë u gjetën në kushte të mira shëndetësore dhe momentalisht gjenden në fshatin Bogë, ku janë strehuar në bujtinë”, - bën me dije policia.

Policia e Shkodrës ka falënderuar banorët e zonës, “për sensibilizimin, angazhimin dhe humanizmin e treguar në disa raste të ngjashme gjatë muajve të fundit”, - thuhet në reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë