Shendet

Humb jetën një 83-vjeçar në Itali nga ethet e Nilit, simptomat dhe si transmetohet

Gazeta Si - Një 83-vjeçar vdiq në Piove di Sacco (në zonën e Padovës) në Itali, nga një formë e rëndë encefaliti për shkak të Etheve të Nilit Perëndimor, një virus për të cilin rezultoi pozitiv.

Nga autoritetet shëndetësore nuk është saktësuar deri më tani nëse pacienti i është raportuar tashmë ditët e fundit si rasti i parë pozitiv në vend ndaj Nilit Perëndimor, i zbuluar në fakt në rajonin e Venetos.

Dy raste të tjera - Në fakt, një tjetër i ri, pozitiv për virusin e transmetuar nga mushkonjat, është shtruar në spital, ndërsa për një tjetër 62-vjeçar, gjithmonë i shtruar për encefalit në Piove di Sacco, po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse ai është infektuar me virusin e Nilit Perëndimor apo jo.

Si transmetohet - Rezervuarët e virusit, raporton faqja “EpiCentro”, janë zogjtë e egër dhe mushkonjat, specie të llojit Culex. Transmetimi te njeriu ndodh kryesisht me pickim, por janë raportuar edhe raste të infeksionit për shkak të transplantimit të organeve, transfuzioneve të gjakut dhe transmetimit nga nëna te fetusi gjatë shtatzënisë.

Një aspekt që duhet theksuar, është se ethet e Nilit Perëndimor nuk transmetohen nga personi në person përmes kontaktit me të infektuarin. Megjithatë, virusi nuk prek vetëm njerëzit, por edhe gjitarët e tjerë, veçanërisht kuajt, qentë, macet dhe lepujt.

Inkubacioni dhe simptomat - Periudha e inkubacionit varion nga 2 deri në 14 ditë pas pickimit, por mund të jetë deri në 21 ditë në njerëz me mungesë të sistemit imunitar.

Siç shpjegon “EpiCentro”, shumica e të infektuarve nuk përjetojnë asnjë simptomë.

Nga rastet simptomatike, rreth 20% paraqiten me ethe, dhimbje koke, të vjella, ënjtje të nyjeve limfatike dhe skuqje të lëkurës. Sëmundja mund të zgjasë disa ditë.

Rastet e rënda - Simptomat më të rënda shfaqen në më pak se 1% të personave të infektuar, duke raportuar temperaturë të lartë, dhimbje koke të forta, dobësi muskulore, çorientim, dridhje, shqetësime të shikimit, mpirje, konvulsione, deri në paralizë dhe gjendje koma.

Disa efekte neurologjike mund të jenë të përhershme. “EpiCentro” thekson se vetëm në rastet më të rënda, virusi mund të shkaktojë encefalit vdekjeprurës.

Në Itali, në vitin 2018, ethet e Nilit Perëndimor shkaktuan disa vdekje.

Ku qarkullon në Itali - Virusi është endemik në Veneto, si dhe në zona të tjera të luginës së lumit Po.

Megjithatë, infeksioni i parë te një mashkull, është konstatuar vetëm tani që në fillim të verës 2022.

Mbikëqyrja veterinare në Itali mbi kuajt, mushkonjat, zogjtë e egër, ka konfirmuar "qarkullimin e virusit në Veneto, Emilia-Romanja, Lombardi dhe Sardenjë”.

Aktualisht nuk ka një vaksinë për këtë sëmundje: prandaj mjekët rekomandojnë që njerëzit të duhet të fokusohen te parandalimi, i cili konsiston mbi të gjitha në uljen e ekspozimit ndaj pickimit të mushkonjave.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë