Libra

Humb jetën nga Covid-19 shkrimtari kilian

Shkrimtari kilian u shua sot për shkak të komplikimeve nga koronavirusi, pas një muaj lufte me këtë virus.

Luis Sepulveda lindi më 4 tetor 1949 në qytetin kilian të Ovalle. Një figurë themelore për të është ajo e gjyshit të tij, anarkistit andaluzian në mërgim dhe i dënuar me vdekje, Gerardo Sepulveda Tapia, me të cilin u rrit në qytetin e Valparaìso. Ai u ndikua shumë edhe nga xhaxhai i tij Pepe, gjithashtu një anarkist. Do të ishin keta te dy që do t’i transmetonin atij dashurinë për letërsinë.

Në një moshë shumë të re u regjistrua në Rininë Komuniste dhe shkruajti për gazetën “Clarìn”. Në moshën 20-vjeçare, libri i tij i parë me tregime të shkurtra, ‘Crònicas de Pedro Nadie’, mori çmimin ‘Casa de las Americas’ dhe një bursë për kurse dramaturgjike në Universitetin Lomonosov në Moskë. Ai qëndroi në kryeqytetin rus vetëm disa muaj pas një skandali për lidhjen e tij me mësuesen e letërsisë sllave. Ai kthehet në Kili, por ka konfrontime të forta me babanë e tij dhe dëbohet nga rinia komuniste.

Në shtëpi, ai shkroi tregime të shkurtra, u diplomua si drejtor teatri, u bë gazetar i radios, realizoi shfaqje në skenë, drejtoi një kooperativë bujqësore. U bashkua me rojen personale të Salvador Allende si anëtar i Partisë Socialiste. Për qendrimet e tij rebele dhe jokonformiste, ai u arrestua dhe u torturua. Prej 7 muajsh, ai u burgos. Amnesty International ndërhyri disa herë me apele për ndihmën e tij dhe më në fund merr lirimin e tij me çmimin e mërgimit për 8 vjet. Ai arratiset në Brazil dhe më pas në Paraguai, dhe në kryeqytetin e Ekuadorit rifillon veprimtarinë e tij si dramaturg. Ai bashkëpunon me Unesco për të cilën studion ndikimin e Perëndimit në popullatën e indianëve te Shuar.

Ai është një shkrimtar i vlerësuar me “Fuqia e ëndrrave”, “Kronikat nga koni i Jugut”, “Patagonia Express” dhe mbi të gjitha “Historia e një pulëbardhe dhe macja që e mësoi të fluturonte”, që është një sukses në mbarë botën. Në vazhdën e këtij titulli të vlerësuar jane edhe; “Historia e një mace dhe miu që u bë miku i tij”, “Historia e kërmillit që zbuloi rëndësinë e ngadalësisë”, “Historia e një qeni që i mësoi një fëmije besnikëri”, dhe së fundmi në vitin 2018 “Histori e një balene të bardhë treguar nga ajo vetë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë