Ne rrjet

Human Rights Watch: Rritja e dhunës ndaj protestuesve është një shenjë dobësie e qeverive

Aktet gjithnjë e më të shpeshta dhe të dhunshme kundër protestave civile nga liderët autokratë dhe regjimet ushtarake në mbarë botën janë shenja të dëshpërimit të tyre dhe dobësimit të pushtetit, thotë Organizata Human Rights Watch në vlerësimin e saj vjetor të të drejtave të njeriut në të gjithë globin.

Në raportin e saj botëror të 2022, organizata e të drejtave të njeriut tha se udhëheqësit autokratikë u përballën me një reagim të madh në vitin 2021, me miliona njerëz që rrezikuan jetën e tyre për të dalë në rrugë për të sfiduar vendimet e qeverive.

Human Rights Watch tha gjithashtu se ‘shfaqja’ e partive opozitare të gatshme për të lënë mënjanë dallimet e tyre politike dhe për të krijuar aleanca për të rrëzuar qeverinë ishte një tjetër shenjë e një tendence drejt dobësimit të sundimit autokratik.

Si shembuj të koalicioneve opozitare "të pamundura", HRW vuri në dukje Republikën Çeke, ku kryeministri Andrej Babiš u mund, dhe Izraelin, ku Benjamin Netanyahu u largua në 2021, pas 12 vjetësh në pushtet. Gjithashtu aleanca të partive opozitare janë krijuar për të sfiduar Viktor Orban në Hungari dhe Recep Tayyip Erdogan në Turqi në zgjedhjet e ardhshme.

Në një ese që prezanton raportin e Human Rights Watch, i cili analizon situatën në vendet anembanë botës, drejtori i saj, Kenneth Roth, argumenton gjithashtu se represioni në rritje në vende të tilla si Rusia dhe Nikaragua duhet të shihen si një shenjë dobësie, jo forcë.

“Ekziston një narrativë se autokratët po mbizotërojnë dhe demokracia është në rënie, megjithatë nëse shikoni tendencat në të drejtat e njeriut gjatë 12 muajve të fundit nuk duket aq mirë situata për autokratët”, tha Roth.

“Ka pasur një vërshim të mbështetjes publike për demokracinë me njerëz që dolën në rrugë në Kinë, Ugandë, Poloni, Mianmar, duke rrezikuar shpesh jetën e tyre për ta bërë këtë, dhe shumë vende të tjera ku regjimet represive po luftojnë për të mbajtur kontrollin e tyre. Ndërsa veprimet gjithnjë e më të dhunshme të regjimeve në mbarë botën mund të duken sikur ato janë një shenjë force por në fakt janë akte dëshpërimi”, tha ai.

Ndërsa viti 2021 pa marrjen e pushtetit nga grupet e armatosura në Myanmar dhe Afganistan, Roth tha se kishte pasur një dështim për të normalizuar sundimin e tyre ose për të nënshtruar popullsinë civile.

“Ndërsa shohim gjakderdhje në rrugë, ne shohim gjithashtu miliona që refuzojnë të pranojnë mohimin e të drejtave të tyre njerëzore dhe dështimin e sundimtarëve autokratë për të shpërqendruar popullsinë me politika që sulmojnë komunitetet LGBTQ, abortin ose të drejtat e grave”.

Megjithatë, ai tha se demokracia do të dështonte të lulëzonte pa një udhëheqje më të fortë nga qeveritë demokratike, të cilat u përqendruan në përfitimet politike afatshkurtra gjatë vitit 2021 dhe nuk arritën të adresonin çështjet më urgjente të emergjencës klimatike, pabarazisë, padrejtësisë racore dhe varfërisë.

Human Rights Watch tha se pavarësisht të dhënave të tyre alarmante për abuzimet e të drejtave, SHBA vazhdoi të ofrojë armë për vende të tilla si Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai gjithashtu vuri në dukje lëvizjet e vazhdueshme të BE-së për të ndjekur marrëveshjet e investimeve me Kinën, pavarësisht përdorimit të supozuar të Pekinit të ujgurëve.

“Promovimi i demokracisë do të thotë të ngrihesh në mbrojtje të institucioneve demokratike si gjykatat e pavarura, mediat e lira, parlamentet e fuqishme dhe shoqëritë civile të gjalla edhe kur kjo sjell një shqyrtim të padëshiruar ose sfida ndaj politikave ekzekutive”, përfundon Roth.

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë