Treg

Huawei padit Verizon për shkelje të patentave

Huawei ka ngritur padi ndaj kompanisë së telekomunikacionit Verizon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkelje të përdorimit të paautorizuar të patentave të saj. Kompania po kërkon kompensim nga Verizon për përdorimin e teknologjisë së patentuar që mbrohet nga 12 patenta që Huawei zotëron në Amerikë.

"Produktet dhe shërbimet e Verizon kanë përfituar nga teknologjia e patentuar që Huawei ka zhvilluar përgjatë shumë viteve në kërkim dhe zhvillim", tha Dr. Song Liuping, Zyrtari Kryesor Ligjor i Huawei-t.

Si ofrues udhëheqës në treg për pajisjet inteligjente të komunikimit, Huawei riinveston 10-15% të të ardhurave të kompanisë në kërkim dhe zhvillim çdo vit. Kompania ka investuar më shumë se 70 miliardë dollarë në dekadën e shkuar, duke zotëruar kështu më shumë se 80 mijë patenta në të gjithë botën.

Vetëm në SHBA, Huawei zotëron 10 mijë patenta përdorimi. Këto risi nuk janë vetëm themeli i suksesit të Huawei por ato gjithashtu përdoren gjerësisht edhe nga kompanitë e tjera duke sjellë vlera të shtuara si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në botë.

Para ngritjes së padisë në Teksas, Huawei negocioi me Verizon për një periudhë të konsiderueshme kohore, gjatë së cilës kompania dha një listë të detajuar të patentave dhe provave faktike të përdorimit që i bën Verizon patentave të Huawei-t. Të dy palët nuk arritën një marrëveshje për kushtet e licencës. "Ne investojmë shumë në kërkim dhe zhvillim sepse duam t'u ofrojmë klientëve tanë zgjidhjet më të mira të mundshme të telekomunikacionit," vazhdoi Dr. Song. "Ne i ndajmë këto risi me industrinë më gjerë përmes marrëveshjeve të licencave."

"Për vite me radhë ne kemi negociuar me sukses marrëveshje për licencat e patentave me shumë kompani. Fatkeqësisht, kur nuk mund të arrijmë në marrëveshje, nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse atyre ligjore."

"Kjo është praktikë e zakonshme në industri. Huawei thjesht po kërkon që Verizon të respektojë investimet e Huawei-t në kërkim dhe zhvillim duke paguar për përdorimin e patentave, ose duke mos i përdorur për produktet dhe shërbimet që ofron".

Risitë dhe mbrojtja e pronësisë intelektuale janë themeli i suksesit të kompanisë. Në vitin 2018, shpenzimet për kërkim dhe zhvillim nga Huawei arritën në 15 miliardë dollarë amerikanë, afër 15% të të ardhurave vjetore të kompanisë. Ajo u rendit në vendin e pestë për investimet industriale në kërkim dhe zhvillim për 2019-ën.

Huawei është më se i gatshëm të vazhdojë të ndajë arritjet e saj kryesore me industrinë dhe shoqërinë. Kjo përfshin si kompanitë amerikane ashtu edhe konsumatorët, sepse është pikërisht ndarja e inovacionit më gjerësisht, ajo që e çon industrinë përpara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë