Njerez

‘House of Zana’ fiton betejën me ‘Zara-n’, Amber Kotrri: Ishte periudhë stresuese, por i mora më të mirën… klientët

Gazeta "Si"- Zara, një kompani shumë miliarda dollarëshe e modës me dyqane në të gjithë botën, u përpoq të bënte që Amber Kotrri, pronare e "House of Zana", biznes i specializuar në kimonot e punuara me dorë, të ndryshonte emrin.

Zara pretendoi se emri i dyqanit të Kotrri ishte "konceptualisht identik" me emrin e tyre dhe se konsumatori tipik ndoshta do të ngatërronte dy markat.

Anglezja Ambër Kotrri, e martuar me një djalë shqiptar nuk hoqi dorë nga emri që kishte vendosur për biznesin e saj, një emër shqip që për të kishte një rëndësi të veçantë.

“House of Zana ka lindur në Shqipëri dhe për mua ka shumë kuptim”, tha asokohe Amber Kotrri.

Në prill kudo në mediat britanike flitej për betejën ligjore mes House of Zana dhe Zarës. Kotrri mori mbështetjen e shumë bizneseve në të gjithë botën ku dhe u krijua një peticion për të mbrojtur House of Zana.

Ditën e djeshme, Amber Kotrri ka bërë një status në rrjetet sociale duke thënë se ka fituar betejën dhe ajo mund të vazhdojë të mbajë të njëjtin emër për biznesin e saj.

“Ia dolëm! Unë do t'ju jem gjithmonë mirënjohës të gjithëve që më dhatë guximin që më duhej për të përballuar fuqinë globale të Zara-s. Ne fituam”, shkroi ajo.

E pyetur nga Gazetasi.al, Amber Kotrri shprehet se është shumë e emocionuar që arriti të fitonte edhe sepse ka më shumë se një vit që ka harxhuar kohë që mund t’ia kishte kushtuar rritjes së biznesit apo edhe familjes.

“Tani që mbaroi jam më e qetë dhe e di se mund të vazhdoj me projektet e mia për të zgjeruar biznesin dhe për të sjellë produkte të reja”, që deri më tani i kishte lënë në pritje edhe për shkak të betejës me Zara-n.

Kotrri tregon se për të ka qenë e vështirë në gjithë këtë kohë për të bërë atë që donte të bënte pasi nuk e dinte si do të ishte vendimi dhe nëse do i duhej të ndryshonte emrin e markës, do ishte si t’ia niste nga fillimi.

“Nuk merrja dot asnjë hap nga frika se mos do më duhej të ndryshoja emrin”.

Gjithsesi, Kotrri thotë për Gazetasi.al se edhe pse një periudhë stresuese, gjithë kjo ngjarje ka qenë një reklamë dhe një marketing shumë i mirë për markën e saj e cila ka vetëm që në 2018 e krijuar.

“Kam pasur një marketing dhe reklamë të jashtëzakonshme nga gjithë kjo ngjarje. Edhe pse nuk doja që marka ime të njihej në këtë mënyrë, kam pranuar rrethanat dhe kam vendosur të përfitoj nga kjo periudhë”, thotë Kotrri e cila shton se në dyqanin e saj fizik por edhe online ka pasur shumë klientë të rinjtë për të cilët është e sigurt se nuk do kishin dëgjuar për markën nëse nuk do kishte dalë kjo çështje.

Tani që marka e saj do vazhdojë me të njëjtin emër, njihet në të gjithë Europën dhe ka fituar klientë të rijnë, Kotrri thotë se gjithë betejës me Zara-n do i marrë më të mirën dhe do vazhdojë aty ku e ka lënë, duke treguar se nuk e bashkon asgjë me markën ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë