Mode

Zara kërkon të mbyllë ‘House of Zana’, markën e një shqiptareje në Angli

Shqiptarja Amber Kotrri në dyqanin e saj House of Zana.

Gjigandi i modës Zara ka urdhëruar markën 'House of Zana' të ndryshojë emrin duke kërcënuar pronaren me veprime ligjore.

Zara, që ka dyqane në të gjithë globin, pretendon se ‘House of Zana’ e shqiptares Amber Kotrri, e specializuar në kimonot e punuara me dorë, prish reputacionin e Zarës  për shkak të ngjashmërisë që kanë në emër.

Zara thotë se emri është 'konceptualisht identik' me të tyren dhe se klientët kanë të ngjarë të ngatërrojnë markën me atë të Zara.

Dyqani u krijua në 2018 ku fillimisht funksiononte si një dyqan online

Në një letër dërguar Kotrrit, Zara thotë se ekziston rreziku 'që konsumatorët të lexojnë gabimisht, keqdëgjojnë, keqshprehin dhe/ose ta perceptojnë House of Zana si ZARA'.

Kotrri thotë se kompania e saj, në Darlington, County Durham, nuk përbën kërcënim për gjigantin e modës, por Zara mund të shkatërrojë gjithçka për të cilën ka punuar kaq shumë.

“Emri ynë është shumë kuptimplotë dhe personal për ne dhe nuk përbën kërcënim komercial për kompaninë ZARA dhe tregun e tyre masiv”, thotë Kotrri.

Amber Kotrri (majtas) nga House of Zana, është kërcënuar nga Zara për emrin e butikut të saj.

Zara i ka kërkuar Kotrrit që të ndryshojë emrin e biznesit të saj, por ajo është e vendosur të luftojë dhe të ruajë markën e saj, duke thënë se një ndryshim do të shkaktonte 'dëm të pariparueshëm për biznesin tonë të vogël'.

Duke nisur fillimisht biznesin e saj online në vitin 2018, House of Zana shet veshje të qëndrueshme dhe me cilësi të lartë.

Suksesi i dyqanit të tij në Grange Road, Darlington, e ka bërë atë të zgjerohet në Aeroportin Teesside dhe të arrijë një audiencë globale në internet.

Ish-studentja e Artit dhe Dizajnit luan një rol kryesor në funksionimin e përditshëm, nga dizajnimi i veshjeve deri tek përzgjedhja e pëlhurave.

Kotrri tregon se Zana përfaqëson ‘Zanë’ dhe për të është mjaft e rëndësishme që të mbesë ky emër.

"Ne kemi një dyqan të vogël në Anglinë Veri-Lindore dhe një faqe interneti për të ndihmuar në promovimin e produkteve tona, ndërsa Zara është një markë e njohur botërore e modës me mbi 2000 dyqane me pakicë në mbarë botën”.

Kotrri shton se sipas saj, nuk ka rrezik që dikush ta ndërrojë Zarën me Zanën dhe nuk ka pse të lejohet një biznes i madh të pengojë një biznes të vogël.

"Ne e dimë se nuk jemi një kërcënim për ta, por ata mund të shkatërrojnë gjithçka për të cilën kemi punuar kaq shumë".

Kotrri e mori letrën nga Zara për herë të parë vitin e kaluar, ku i thoshte të ndryshonte emrin e biznesit, të hiqte të gjitha markat dhe të fshinte llogaritë e saj në mediat sociale brenda një muaji.

Gjatë fundjavës, Kotrri dhe firma e saj kanë marrë një mbështetje të madhe nga biznese të pavarura në të gjithë Anglinë dhe Europën.

Ndërkohë, ajo tashmë ka konfirmuar se do të përfaqësohet në gjykatë kur të mbahet seanca muajin e ardhshëm.

"Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet tona për të krijuar këtë markë unike dhe pasi kemi luftuar me pandeminë, gjëja e fundit që duam të bëjmë është të detyrohemi të ndryshojmë markën, të heqim të gjitha etiketat që janë të qepura në stokun tonë, të ndryshojmë emrat e rrjeteve tona sociale dhe faqen e dyqanit”, thotë Kotrri e cila shton se kjo do të shkaktonte dëme të pariparueshme për biznesin.

"Është emri që kam krijuar dhe të gjithë na njohin me këtë emër, si mund ta ndryshoj këtë?"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë