Media Galeri

Hoteli zviceran me ‘zero yje’ ofron netë pa gjumë për të menduar mbi krizat e botës

"Nuk mund të flija" dhe "dhoma ime ishte shumë e zhurmshme", mund të jenë ankesat që hotelierët nuk duan të dëgjojnë nga mysafirët, por për vëllezërit Frank dhe Patric Riklin kjo është pikërisht ajo që duan të dëgjojnë në hotelin e tyre me zero yje.

Dhoma e hotelit të artistëve konceptualë zviceranë është në thelb një krevat dopio në një platformë, me dy komodina dhe llamba. Nuk ka mure, tavan apo dyer për të siguruar ndonjë privatësi apo strehë.

Ata kanë ngritur ‘suitën’ e tyre në një anë të rrugës pranë një pike karburanti në fshatin Saillon, në Zvicër.

Synimi është që t'i bëjë mysafirët të mendojnë për problemet në botë, thanë vëllezërit binjakë, dhe t'i frymëzojë ata të veprojnë ndryshe.

“Gjumi nuk është qëllimi”, tha Frank Riklin. "Ajo që është e rëndësishme është reflektimi për situatën aktuale botërore. Qëndrimi këtu është një mënyrë për të kuptuar nevojën për ndryshime urgjente në shoqëri".

Vizitorët janë të ftuar në 'gjysmë gjumin' për të diskutuar tema si ndryshimi i klimës, lufta dhe kërkimi i pafund i njerëzimit për përsosmërinë dhe dëmin që i shkakton planetit.

“Me pak fjalë, tani nuk është koha për të fjetur, duhet të reagojmë”, tha Patrik.

Projekti, i cili është zhvilluar me hotelierin Daniel Charbonnier, përmban gjithashtu tre suita të tjera në një vresht dhe në një kodër piktoreske.

Suitat do të jenë të disponueshme nga 1 korriku deri më 18 shtator. Çmimi për një gjumë të papërsosur të natës: 325 franga zvicerane (337 dollarë).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë