Libra

“Homeland 2” e Fatjon Plakut, një Shqipëri larg rrëmujës që të thërret ta eksplorosh

E gjithë bukuria e resurseve natyrore, pikat më të veçanta që ofron Shqipëria dhe atraksionet që ende nuk gëzojnë njohje nga publiku i gjerë, të shkrepura nga një aparat alpinisti Fatjon Plaku i paraqet përmes një albumi fotografik “Homeland 2”.

Fation Plaku është një fotograf dhe alpinist i njohur në Shqipëri dhe pasioni për të eksploruar vendet turistike shihet në fotografitë e tij.

Prej më shumë se 30 vitesh me këtë “profesion”, duke shkelur e eksploruar çdo cep të vendit tonë, ai është i mahnitur me diversitetin që ofron natyra shqiptare. 

Duke parë e shijuar bukuritë shqiptare, në gjithë këtë hark kohor, ai rrëfen për Gazetën “Si” edhe mënyrën se si lindi ky album, që sjell një Shqipëri larg kaosit e rrëmujës.

“Ne kemi një natyrë fantastike dhe një diversitet të paparë në krahasim me vendet e tjera, siç jemi ne një vend i vogël me një diversitet kaq të madh. Ideja për albumin lindi se duke parë gjithë bukurinë nëpër male, kanione, lumenj në të gjithë vendet që shkoja dhe eksploroja thashë që të bëj disa fotografi dhe nëpërmjet rrjeteve sociale mendova që t’ia përcjell dhe miqve të mi, e më pas dhe ndjekësve. Pastaj pas shumë viteve duke grumbulluar sa më shumë foto në arkivat e mia, mendova që t’i përmbledh në një album fotografik siç është Homeland 2”, shprehet Plaku për zanafillën e albumit fotografik.

Nga veriu në jug, dashnori i vërtetë i natyrës ka finalizuar një libër që do të duhet ta kesh patjetër në bibliotekën personale për të treguar sesa e bukur është Shqipëria po të udhëtosh në skajet më të pamundura të saj.

“Homeland 2” vjen me rreth 240 faqe. Këto 240 foto reale na bëjnë të udhëtojmë nga veri në jug nëpër male, nga lindja në perëndim, nga deti në liqene, nga pyjet në kanione, nga gjiret e bukura tek bota nënujore.

“Albumi fillon me malet më kryesore në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug. Më pas, vij me trashëgiminë kulturore siç janë kalatë dhe monumentet e kulturës, më pas me kanionet, me disa nga lumenjtë kryesorë në vend, të gjithë ishujt në Shqipëri, dhe pastaj në fund fare me plazhet më të virgjëra dhe më të bukura, që janë në vendin tonë”, vijon Plaku për Gazetën “Si”.

Para 3 vitesh, Plaku solli botimin e parë Homeland. Sipas autorit, risia e botimit të dytë të albumit fotografik, përveç fotove, janë edhe vendndodhjet apo edhe videot që mund të hapen nëpërmjet skanimit.

“Në albumin e dytë kam vendosur edhe location, vendndodhjen, kam shtuar historinë, vendet e reja dhe një aplikacion tjetër që me skanimin e një kodi mund të hapen edhe videot. Në çdo faqe ka edhe një video po duke skanuar me celular foton e albumit. Ky është ndryshimi në krahasim me albumin e parë. Videoja te faqja e coverit është edhe videoja më e bukur, që është rreth 3 min. Përveç këtyre, në albumin e dytë kam shtuar edhe vende të reja”, rrëfen më tej Plaku për Gazetën “Si”.

Ky album që pasqyron një Shqipëri larg rrëmujës së krijuar nga ndërtimet dhe ndërhyrjeve pa kriter, shërben edhe si një resurs për t’u shfrytëzuar jo vetëm nga vendësit, por edhe nga turistët e huaj.

Mesazhi që ai do të japë nëpërmjet këtij albumi është më shumë një mesazh ndërgjegjësimi që shqiptarët të kuptojnë dhe të vlerësojnë natyrën e bukur shqiptare.

Madje, ai edhe u bën thirrje bashkëkombësve që ta eksplorojnë vendin e tyre.  

“Jemi me fat dhe na ka bekuar Zoti, për një natyrë kaq të bukur që kemi dhe u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të dalin dhe të eksplorojnë vendin e tyre”.

Por, ky botim me fotografi mund të shërbejë edhe si një guidë për të gjithë turistët që mund të tregojnë akoma më shumë interes për të vizituar Shqipërinë.

“Përveçse një guidë turistike për shqiptarët, mund të shërbejë edhe si një dhuratë për të gjithë ata shqiptarë që janë jashtë vendit, plus dhe për të gjithë të huajt që vijnë në vendin tonë”, përfundon Fatjon Plaku për Gazetën “Si”.

Fotografitë e kuruara me kujdes e që na largojnë nga Tirana e zhurmshme, motivojnë çdokënd për t’i shkelur këto vende e për t’u krenuar me bukurinë e vendit tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë