Politike

Holandë, mazhoranca dhe opozita lobojnë për çeljen e negociateve

Anëtarë të mazhorancës dhe të opozitës së re në Kuvend, kanë kërkuar në Holandë nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Rudina Hajdari, ndodhen në Amsterdam duke lobuar për hapjen e negociatave.

Balla deklaron se Shqipëria e meriton fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, pas rekomandimit të pritshëm pozitiv të Komisionit Europian javën e ardhshme.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla thekson se Shqipëria ka institucione demokratike funksionale dhe partitë politike duhet të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Bashkë me Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe me Kryetaren e Grupit Demokrat Rudina Hajdari po zhvillojmë takime në Parlamentin dhe Qeverinë e Holandës. Shqipëria e meriton fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, pas rekomandimit të pritshëm pozitiv të Komisionit Evropian javën e ardhshme. Shqipëria ka institucione demokratike funksionale dhe partitë politike duhet të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Zgjedhjet e 30 qershorit moment i rëndësishëm në rrugën Evropianë të Shqipërisë”, – shkruan ai.

Balla nënvizon se ka zhvilluar një diskutim të frytshëm me anëtarët e Komunitetit të Çështjeve të BE-së.

“Një diskutim shumë i frytshëm me anëtarët e Komunitetit të Çështjeve të BE-së. Në pritje të progres-raportit të BE nga Hanh rreth Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe rekomandimit të hapjes së negociatave bazuar në meritë”, shkruan Balla në “Twitter”.

Ndërsa në seancën dëgjimore me Komisionin për Çështjet e BE në Parlamentin e Holandës, Rudina Hajdari tha se hapja e negociatave është e rëndësishme për destinacionin europian të vendit tonë.

“Si anëtare e NATO-s prej dhjetë vjetësh, Shqipëria është një faktor stabiliteti, sigurie e paqeje në rajon e më gjerë. Hapja e negociatave është e rëndësishme për të mos braktisur orientimin dhe destinacionin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm Qeveria, por edhe opozita parlamentare mendon se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave në qershor”, deklaroi Hajdari.

Deputetja e PD, e cila nuk dorëzoi mandatin, tha se nëse nuk hapen negociatat nuk dihet se çfarë mund të ndodhë.

“Nëse Shqipëria hap negociatat do të kemi më shumë përgjegjësi për të vazhduar me reformat dhe te arrijmë standardet tuaja. Nëse nuk hapen negociatat muajin e ardhshëm, ne nuk e dimë çdo ndodhë vitin e ardhshëm, apo në Europë. Mos lejoni ndërhyrjet e tjera që duan ta tërheqin orientimin tonë drejt Bashkimit Europian”, ka deklaruar ajo.

 

Më Shumë