Futboll

Holanda lançon sulmuesit e mëdhenj, Broja ëndërron të kalojë Drogbanë te Çelsi

Me 9 gola dhe 2 asiste, Armando Broja është ndër sulmuesit e rinj me trguesit më të mirë të momentit. Futbollisti i Kombëtares, në një intervistë për “Goal.com”, ka folur për aktivizimin me Viteshen, hapat e parë të karrierës dhe ambiciet për t’u bërë i rëndësishëm te Çelsi, klubi që ka kartonin e tij.

Broja beson se me kalimin në Holandë do të zhvillohet si lojtar, ashtu siç kanë bërë më parë sulmues të mëdhenj në hapat e tyre të parë, siç janë Ronaldo Fenomeni, Zllatan Ibrahimoviç, apo edhe Luis Suarez.

Artikulli i "Goal.com" për Brojën. Gazeta Si, 2 mars 2021

“Nëntë gola dhe dy asiste janë statistika të mira, por kurrë nuk jam i kënaqur. Kam luajtur mbi 1000 minuta me Viteshen dhe dua të bëj më shumë. Ronaldo Fenomeni ishte i pabesueshëm, ndoshta sulmuesi më i mirë i të gjitha kohërave. Kam parë shumë video të tij, edhe kur luante me PSV-në. Ibrahimoviç dhe Suarez kanë luajtur me Ajaksin, shumë sulmues të mëdhenj kanë luajtur në Holandë sezonin e tyre të parë, ndaj mendova se është një vend i shkëlqyeshëm për t’u zhvilluar”, - thotë Broja për aventurën holandeze.

Pastaj sulmuesi kuqezi tregon hapat e parë në futboll: “Një skaut i Totenhemit kishte ardhur për të parë një lojtar të ri në një turne, ku unë u paraqita shumë mirë dhe u shpalla golashënuesi më i mirë. Skauti foli me prindërit e mi dhe u kërkoi që të provohesha te Totenhemi. Bëra një seancë atje dhe shefi i akademisë tha se donte që të firmosja. Më donte dhe Fulhemi.

Golat e lojtarëve të huazuar nga Çelsi te Viteshe. Gazeta Si, 2 mars 2021

Gjithmonë kam dashur të luaj kundër Çelsit, sepse në fakt doja të luaja për të. Por për fat të keq isha në stol në një ndeshje me Totenhemin ndaj Çlsit. Drejtuesit e Çelsit po shikonin ndeshjen dhe mendova se nëse do të luaja, mund t’u bëja përshtypje. Kur u futa shënova dhe dhashë një asist. Barazuam me ekipin A të Çelssit dhe pastaj mudëm 9-0 ekipin B. Shënova 7 gola dhe skautët e Çelsit më thanë se donin të isha pjesë e tyre. Ishte moment lumturie, sepse mund të luaja për klubin që doja. Jam te Çelsi që te U-9”.

Broja tregon edhe momentin kur mori ftesën kuqezi, atëherë nga Shqipëria U-19: “Në moshën 17-vjeçare nuk po kaloja një moment të mirë, qëndrova në stol dhe shënova 2 gola gjithë sezonin. Prindërit mundoheshin të më ngrinin moralin, por kisha humbur besimin. Shqipëria më thirri për të luajtur me U-19 dhe mendova se ishte një shans i mirë për të rritur besimin, duke hequr mendjen nga Çelsi”.

Broja feston një gol me fanellën kuqezi. Gazeta Si, 2 mars 2021

Futbollisti shqiptar shpreson që së shpejti të ngjitet në nivelin e legjendave të Çelsit, si Frenk Lampard, Didier Drogba e Xhon Terri: “Më pëlqente të bëja fotografi me ta, doja të isha si ata. Po i afrohem moshës kur ata luanin dhe do të provoj të kaloj Drogbanë. Nuk është e lehtë, por ky është mentaliteti im”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë