Politike

Vizat me Holandën, Tirana: Brukseli do ta rrëzojë

Votimi i parlamentit holandez për rivendosjen e vizave me Shqipërinë, ka sjellë edhe reagimin e parë të Tiranës zyrtare.  Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhje që vendi ynë është bërë sipas saj pjesë e agjendës së partive politike në Amsterdam.

Me anë të një njoftimi zyrtar, Ministria informon shtetasit shqiptarë se votimi në Parlamentin holandez për pezullimin e përkohëshëm të liberalizimit të vizave nuk ndryshon rregullat e lëvizjes drejt vendeve shengen.

“Klima elektorale në Holandë padyshim ka ndikimin e vet dhe edhe pse jemi të keqardhur për futjen e Shqipërisë ne agjendën e partive në garë, s’kemi asnje dyshim në faktin se përtej horizontit të zgjedhjeve evropiane faktet do të prevalojnë mbi klishetë elektorale”, thuhet në njoftim. “Shtetasit shqiptarë do të vazhdojnë të lëvizin të lirë drejt vendeve shengen sipas praktikës të derisotme dhe duke plotësuar vetem kushtet aktualisht në fuqi.”

Sipas Ministrisë, mocioni i parlamentit holandez nuk përmbush asnjë nga kushtet e legjislacionit europian.

Nje shtet anëtar i BE mund t’i kërkojë Komisionit Evropian hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE dhe asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë. Gjithësesi është Komisioni Evropian që do të shqyrtonte kërkesën dhe do t’i jap përgjigje asaj”, thotë Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Ajo është e bindur se rezoluta e Holandës nuk do të gjejë mbështetjen e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian.

“Duke gjykuar objektivisht, në bazë të fakteve dhe shifrave zyrtare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Evropian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk eshte plotësuar në rastin e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, emigracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptarë drejt Holandës ka rënë vazhdimisht, ndërkohë që shifrat e krimit shënojnë gjithashtu ulje përmbajtësore, por kjo deklaratë bie ndesh me raportet e mediave holandeze.

Po ashtu, edhe kriteri i fundit që ka të bëjë me bashkëpunimin mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve janë cilësuar të shkëlqyera qoftë nga zyrtarët shqiptarë, qoftë nga ata hollandezë. Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e angazhuar të vazhdojë në mënyrë intensive bashkëpunimin si me autoritetet e Mbretërisë së Vendeve të Ulta dhe me vëndet e tjera anëtare të BE për të luftuar aktivitet e paligjshme ndërkufitare. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme gjen rastin t’i bëj edhe njëherë thirrje shtetasve shqiptarë për të respektuar plotësimin e dokumentat e nevojshme perpara nisjes së udhëtimit drejt vendeve shengen”, përfundon reagimin e saj Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë