Futboll

Holanda i beson stolin Frank De Boer, kontratë deri në 2022-shin

Është radha e Frank De Boer të marrë drejtimin e kombëtares holandeze të futbollit. Drejtuesit kanë vendosur t’i besojnë ish-trajnerit të Interit dhe Ajaksit. Kur Barcelona zgjodhi Ronald Koeman për të nisur një cikël të ri pas shkarkimit të Setien, Holanda u gjend pa trajner.

Një lëvizje që ka ndodhur një vit para “Euro 2021” dhe disa javë para ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Detyrën e mori përkohësisht Duajt Lodeueges, por tani, siç bën me dije “Telegraaf”, eksperienca e tij në krye të “tulipanëve” ka përfunduar, sepse është zgjedhur De Boer. Njoftimi zyrtar i federatës pritet të bëhet javën e ardhshme, kur trajneri i ri do të firmosë kontratën deri në vitin 2022.

Frank De Boer, kur drejtonte Interin. Gazeta Si, 23 shtator 2020

Nuk është një zgjedhje e rastësishme, duke parë impenjimet ndërkombëtare të dy viteve të ardhshme. De Boer do ta udhëheqë Holandën në “Euro 2021”, ku është në grup bashkë me Ukrainën, Austrinë dhe një mes Gjeorgjisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Bjellorusisë. Më pas do të vlerësohet puna e tij nga drejtuesit e federatës, nëse do ta mbajë trajnerin në detyrë edhe për Botërorin e Katarit, apo jo.

Përvojat e Frank de Boer në nivel klubesh nuk kanë shkuar mirë, as me Interin, as me Kristal Palasin dhe as në Amerikë, por në Holandë besojnë se ambienti i shtëpisë do t’i bëjë mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë