Politike

Holanda ende skeptike: Shqipëria duhet ta na bindë se i ka plotësuar kushtet!

A do të vazhdojë të bëhet Holanda pengesë për mbajtjen e konferencës së parë qeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e cila çel zyrtarisht negociatat me unionin? Sinjalet e fundit nga Holanda tregojnë se ajo vazhdon të jetë skeptike, edhe pse progres-raporti i Komisionit Europian mbi Shqipërinë theksonte se vendi ynë i ka plotësuar të gjitha kushtet, përveç ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.

Në një shpjegim zyrtar, qeveria holandeze thotë se si zakonisht do t’i dërgojë parlamentit një vlerësim të progres-raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili vazhdon të mbajë një qëndrim skeptik ndaj vendit tonë.

Gjithashtu, Parlamenti holandez i ka dërguar qeverise një sere pyetjesh në lidhje me paketën e zgjerimit te publikuar nga Komisioni Europian. Qeveria do t’i përgjigjet edhe këtyre pyetjeve në javën që vijon.

Qendrimi i Holandës duket se lidhet me verifikimin nga qeveria shqiptare të progresit të arritur, i cili duhet të jepet me shkrim javën e ardhshme dhe që përputhet me atë që është kërkuar në mars.

Ditën e sotme një delegacion i parlamentit shqiptar mban një takim online me komisionin parlamentar për Çështjet Europiane në parlamentin holandez ku do të diskutojnë në lidhje me çështjet e zgjerimit.

Por Holanda do të presë deri në fund dhe do të vendosë në mbledhjen e radhës të Këshillit Europian për të vlerësuar nëse Shqipëria ka plotësuar kushtet e vendosura për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian, apo jo.

“Në Bruksel, vendet anëtare të BE-se janë duke diskutuar draft Kuadrin Negociator për Shqiperinë. Me t’u dakortësuar, ai do të miratohet nga Këshilli Europian për Çështjet e Përgjithshme, që pritet të mbahet në takimin e 10 nëntorit”, thekson Holanda në reagimin e saj zyrtar.

Për të organizuar Konferencën e Parë Ndërqeveritare (KPN) Shqipëria duhet të bindë vendet anëtare se ka bërë progres të mjaftueshëm mbi kushtet e vendosura nga Këshilli në muajin mars.

Në raportimin e tij të fundit në parlament, ministri i Jashtëm holandez, deklaroi se Holanda vazhdon të mbështesë ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Blok tha se Tirana i ka të qarta kushtet e vendosura nga Holanda që në muajin mars, kur Këshilli vendosi hapjen e negociatave, por kushtëzoi nisjen formale të tyre.

“Po, ne ramë dakord që të hapen negociatat si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, por në atë kohë ne bëmë një dallim të qartë mes dy vendeve. Në rastin e Shqipërisë kemi bërë kërkesa konkrete për një sërë kushtet që duhen plotësuar para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare”, deklaroi Blok.

Ministri i Jashtëm holandez tha se Qeveria po studion raportin e Komisionit Europian, ku thuhet se të dyja vendet janë gati për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ai nënkuptoi se vendimmarrja holandeze nuk do të kushtëzohet vetëm nga ky raport.

“E kam thënë se në rastin e Maqedonisë së Veriut shohim më shumë progres. Nuk mund ta parashikoj saktësisht se kur do të bëhet propozimi për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Mund të jetë edhe këtë vit, por ju (deputetët) do të merrni vlerësimin tonë (të qeverisë) për kushtet e vendosura dhe masën e plotësimit të tyre”, vijoi Blok.

Qeveria holandeze është e bindur se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vendet nuk janë në të njëjtin hap sa i takon plotësimit të kushteve.

“Nuk është pa arsye qëndrimi ynë që vendosëm një kriter specifik për Shqipërinë. Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për perspektivën europiane të Shqipërisë, por procesi varet thelbësisht nga progresi i Shqipërisë. Që të jem i qartë, është një proces i bazuar plotësisht tek merita e secilit vend”, u shpreh Blok.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë