Politike

Holanda bllokon negociatat: S’janë plotësuar kushtet

Stef Blok - Gazeta Si

Holanda ka dalë me qëndrimin zyrtar, sipas të cilit nuk do të mbështesë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE nëse më parë nuk plotësohen disa kushte.

Dokumenti i Qeverisë holandeze është dorëzuar në Parlamentin vendas për miratim. Sipas këtij dokumenti, mbështetet hapja e negociatave për Maqedoninë e Veriut, por i njëjti proces vlerësohet i parakohshëm për Shqipërinë.

Ministria e Jashtme holandeze rrëzon raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë sa i përket plotësimit të kushteve.

"Qeveria mbështet analizën e Komisionit Europian se Shqipëria ka treguar përparim në fusha të ndryshme, por përfundimi i Komisionit se pothuajse të gjitha kushtet janë përmbushur është i parakohshëm", thuhet në dokument.

Qeveria holandeze kërkon përparim bindës në kushtet e vendosura nga Këshilli Europian në mars, pra ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Holanda thekson se Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka kuorumin e vendimmarrjes, e po ashtu edhe Gjykata e Larte mbetet ende jashte funksionit. Theksi vendoset edhe te ligji antishpifje, ku kërkohet reflektimi i plotë i rekomandimeve të Venecias.

"Qeveria mbështet vlerësimin e Komisionit se nuk ka ende kuorum për Gjykatën Kushtetuese dhe se duhet bërë përparim i mëtejshëm në lidhje me rishikimin e ligjit për mediat bazuar në mendimin e Komisionit të Venecias. Gjykata e Lartë nuk është ende në gjendje të shqyrtojë të gjitha çështjet", vlerëson qeveria holandeze.

Edhe progresi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta nuk e ka bindur Qeverinë holandeze, që të japë dritën jeshile për negociatat.

Po ashtu Holanda kërkon dënime për gjyqtarët dhe prokurorët e akuzuar penalisht.

"Janë ndërmarrë hapa kryesorë, në veçanti, në fushën e vetingut të gjyqtarëve të vjetër dhe prokurorëve, por kjo ende nuk po çon në dënime aktuale të gjyqtarëve të cilët ishin akuzuar për akuza penale gjatë aktivitetit të tyre", vijon dokumenti.

Holanda kërkon përmirësimin e dialogut politik dhe shpreson që në të ardhmen e afërt Shqipëria të dëshmojë progresin e mjaftueshëm që ajo të ndryshojë qëndrim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë