Politike

Historike, Maqedonia miraton ndryshimin e emrit

Shkupi i ka dhënë fund ditën e premte një kalvari të gjatë negociatash dhe diskutimesh duke e kaluar “topin” në fushën e greke, e cila ka tanimë në duar fatin e Marrëveshjes së Prespës.

Parlamenti maqedonas mbështeti katër amendamentet e propozuara nga qeveria për ndryshimin e kushtetutës së vendit fqinj të premten në mbrëmje, për të emëruar republikën e tyre si Maqedonia e Veriut.

81 deputetët e pranishëm, mes të cilëve ishin edhe ata të opozitës shqiptare votuan pro marrëveshjes, duke siguruar shumicën e nevojshme prej dy të tretash. Sfida më e madhe për Kryeministrin Zaev ditët e fundit ishte të bindte katër deputetët e dy partive të vogla shqiptare, Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa për të mbështetur ndryshimet kushtetuese.

Marrëveshja më këtë të fundit u arrit vetëm një orë para seancës parlamentare, pasi kreu i qeverisë pranoi të hiqej termi “qytetarë maqedonas” nga pasaportat e shqiparëve atje. Në një deklaratë të përbashkët, Besa dhe qeveria njoftuan se sipas ndryshimeve të reja, identiteti etnik i shqiptarëve do të jetë i përcaktuar dhe do të shkruhet në shqip.

Por cështja e vetme që u la në harresë është ajo e gjuhës, pavarësisht se ishte përfolur se me ndryshimet kushtetuese do të zyrtarizohej edhe shqipja. Kjo seance, shënoi fundin e një kalvari të gjatë stërmundimesh për Maqedoninë, duke ia lënë radhën tani Greqisë. Tanimë marrëveshja do të duhet të ratifikohet nga parlamenti grek, i cili do të heqë veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.

Në reagimin e tyre të përbashkët, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri i zgjerimit Johannes Hahn shprehën "urimet e tyre të përzemërta" për vendimin e parlamentit.

"Udhëheqësit politikë dhe qytetarët kanë treguar vendosmërinë e tyre për të shfrytëzur këtë mundësi unike dhe historike në zgjidhjen e një prej mosmarrëveshjeve më të vjetra në rajon dhe vendosmëri të ecin përpara në rrugën e Bashkimit Europian", thanë ata në një deklaratë për shtyp.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg ka reaguar po ashtu në Twitter, duke thënë se: "NATO mbështet fuqishëm zbatimin e plotë të marrëveshjes, e cila është një kontribut i rëndësishëm për një rajon më të qëndrueshëm dhe më të begatë," shkroi ai.

Gjatë votimit të së premtes, qindra kundërshtarë të marrëveshjes së emrit protestuan para ndërtesës së parlamentit, duke akuzuar deputetët se po kryenin tradhti kombëtare. Zaev ka luftuar prej muash për të siguruar shumicën e nevojshme parlamentare, por në Greqi, ndryshe nga Maqedonia, do të duhet një shumicë e thjeshtë për ratifikimin e marrëveshjes. Kjo do të thotë se të paktën 151 nga 300 deputetë do të duhet të votojnë pro saj.

Të mërkurën, kryeministri grek Alexis Tsipras tha se marrëveshja do të paraqitej për ratifikim në parlament deri në fund të muajit. Nëse do të zbatohet, marrëveshja do t’i japë fund një mosmarrëveshjeje prej 3 dekadash mbi emrin e Maqedonisë, duke u shndërruar kështu në një shembull për zgjidhjen e të gjitha mosmarrveshjeve në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë