Lajme

Historike, Maqedonia flet zyrtarisht shqip!

Pas një kalvari të gjatë përplasjesh, mohimi të drejtash dhe negociatash të ashpra, shqiptarët e Maqedonisë ia kanë dalë të çojnë deri në fund zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

Me anë të një lëvizje të papritur, kryeparlamentari shqiptar i Kuvendit maqedonas, Talat Xhaferri, ka firmosur mbrëmjen e së hënës ligjin për zyrtarizimin e shqipes, i cili është dërguar më pas për botim në Fletoren Zyrtare, duke hyrë menjëherë në fuqi.

Ky vendim historik për shqiptarët vjen vetëm pak pas përcaktimit të shtetësisë shqiptare në dokumentet e identifikimit të të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë.

Ligji i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë erdhi pas një marrëveshjeje midis qeverisë dhe partive shqiptare dhe është i bazuar në Kushtetutën e vendit fqinj. Tanimë zyrtarisht, përveç gjuhës maqedonase, shqipja do të njihet si gjuhë zyrtare në zonat ku ka më shumë se 20 për qind shqiptarë. Ky ligj detyron të gjitha institucionet shtetërore t’u mundësojnë qytetarëve shfrytëzimin, përdorimin dhe zbatimin e shqipes si dhe alfabetit të saj .

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe ka çuar në shtimin e 16 milionë denarëve në buxhetin e qeverisë maqedonase për vitin 2019.

Talat Xhaferi

Pak pas këtij vendimi historik, opozita maqedonase reagoi ashpër duke thënë se miratimi i shqipes është vepër penale dhe duhet të dënohet me burg.
“Shpallja e Ligjit për gjuhët në Gazetën Zyrtare është vepër penale për të cilën shkohet në burg. LSDM-ja ka dhunuar edhe njëherë demokracinë dhe ka shkelur rendin kushtetues në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Emrat e institucioneve shtetërore do të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe si dhe në gjuhën angleze. Emrat do të kenë madhësi dhe font të njëjtë, por emri në gjuhën maqedonas do të shkruhet i pari.

Po ashtu sipas ligjit, uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe të mjekëve në Shkup dhe në komunat ku ka shqiptarë do të jenë të shkruara edhe në gjuhën shqipe.

“Procedurat gjyqësore dhe administrative, procedurat për ekzekutimin e sanksioneve dhe ato hetimore, procedurat penale si dhe procedurat tjera të prokurorive publike dhe gjitha organeve tjera shtetërore do të komunikohen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në Nenin 9 të këtij ligji.

Ai përcakton edhe përdorimin e shqipes edhe në procedurat e noterëve dhe përmbarueseve. Po ashtu ligji përcakton përdorimin e shqipes edhe në mbledhjet e Komisionit Shtetërorë Zgjedhor (KSHZ), në emrat e rrugëve dhe shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore në të gjitha komunat ku 20 për qind e e qytetarëve flasin shqip.

Ligji përcakton po ashtu edhe krijimin e një inspektorati për monitorim e zbatimit të plotë dhe të përpiktë të gjuhës shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë