Libra

‘Historia sekrete’, një mister i mitologjisë që emocionon edhe 30 vjet më vonë

Nga Gazeta Si - Tridhjetë vjet që kur u botua për herë të parë, romani debutues i Donna Tartt, “Historia sekrete”, vazhdon të magjepsë brezat e rinj të lexuesve, shkruan Clare Thorp.

Kur Donna Tartt po shkruante romanin e saj debutues, “Historia sekrete” – një përpjekje që i mori tetë vjet – ajo nuk ishte e bindur se do të kishte shumë audiencë për të. Ishte një libër i frymëzuar nga dashuria për mitologjinë greke, një përrallë melankolike e një grupi studentësh klasikë në një universitet elitar tw Anglisë, të cilët ndajnë një sekret të tmerrshëm, të treguar me detaje dikensiane. “Thjesht mendova se po shkruaja një libër të modës së vjetër, shumë të çuditshëm që nuk ishte për shijen e askujt përveç times. Po e shkruaja për veten dhe miqtë e mi”, tha Tartt në një intervistë në 2018.

Me botimin e librit, në shtator 1992, “Historia sekrete” u bë një sukses i menjëhershëm kritik dhe tregtar, një nga ato romane të rralla që bën po aq bujë në qarqet letrare sa edhe në listat e bestsellerëve. Dhe suksesi i tij nuk ishte i përkohshëm. Ai u bë lloji i librit që njerëzit e lexojnë dhjetëra herë. Që nga botimi i tij, ai ka shitur më shumë se 2.3 milionë kopje të shtypura vetëm në anglisht dhe është botuar në 40 gjuhë. Tridhjetë vjet më vonë, është ende në bisedën kulturore, duke tërhequr një brez krejt të ri fansash përmes TikTok. Donna Tartt ka botuar që atëherë edhe dy libra të tjerë, wshtw fituese e çmimit Pulitzer të vitit 2014, por është debutimi i saj që ka lënë përshtypjen më të madhe.

Romani është një histori me dy pjesë; çfarë çoi në vdekjen e një shoku të klasës dhe çfarë ndodh më pas. Në publikimin e saj, The New York Times tha: “Imagjinoni komplotin e Krimit dhe Ndëshkimit të Dostojevskit të kryqëzuar me historinë e Bacchae të Euripidit”.

Autorja Laurie Petrou e ka lexuar librin dhjetëra herë. “Kam pasur kaq shumë kopje të atij libri”, thotë ajo për BBC Culture. Ajo e lexoi romanin për herë të parë në shkollë kur një shoqe ia dha hua. “Ishte thjesht kaq i bukur dhe kaq prekës. Shqetësimi, ftohtësia e tij; ishte libri që më bëri vërtet lexuese dhe shkrimtare”.

Tartt ka thënë gjithashtu se 'Librat janë jetë të tjera. Ata na mundësojnë të jemi njerëz të tjerë'

Jeta në kampus

Libripërshtatet në një traditë të gjatë romanesh të vendosura në kampuset universitare. “Ka një paralele të dukshme, se është vendosur në një kampus të vogël dhe për miqësi intime, por edhe ftohja e përgjithshme, një mizori mbi të cilën nuk mund ta vësh fare gishtin, që të bën të shqetësohesh”, thotë shkrimtarja Laurie Petrou.

Ashtu si personazhet e saj, Tartt ishte një studente që i pëlqenin klasikët dhe referencat e saj klasike i shtojnë një shtresë të tërë librit. “Njohuria dhe dashuria për klasikët nga ana e autorit padyshim ndeshet përgjatë ‘Historisë Sekrete’”, thotë Owen Hodkinson, profesor i asociuar i kulturave greke dhe romake në Universitetin e Leeds. “Dikush mund të kishte shkruar diçka të tillë në planin e historisë me personazhe të bazuara në klasikë, dhe do të ishte mirë, por është e qartë nga këndvështrimi i një klasicisti se ajo jo vetëm që ka lexuar Bacchae të Euripidit, por e ka studiuar dhe vlerësuar”.

“Dhuna dhe egërsia” e lojës së Euripidit përmendet që herët në libër.

Gjatë gjithë karrierës së saj, intervistat kanë qenë të rralla – zakonisht vetëm për të promovuar një libër të ri, prej të cilëve ka pasur vetëm dy të tjerë në 30 vitet e mëvonshme, ‘The Little Friend’ në 2002 dhe “The Goldfinch” i 2014. Misteri vetëm sa i është shtuar legjendës së saj.  

Në një intervistë në një revistë italiane vitin e kaluar, ajo foli hapur për dashurinë e saj për modën, muzikën e saj të preferuar bashkëkohore (Lana Del Rey) dhe rutinën e saj të shkrimit (“tre orë në mëngjes”) - dhe la të kuptohet se një libër i ri mund të jetë rrugës. Ajo gjithashtu deklaroi, për habinë e askujt, se nuk ka përdorur kurrë rrjetet sociale.

Prozë virale

Është ironike atëherë, që media sociale është arsyeja që “Historia sekrete” po kalon një valë krejt të re popullariteti, falë “Dark Academia”, që flet për artet dhe letërsinë në TikTok dhe Instagram. Libri shihet si teksti thelbësor i ‘Dark Academia’ dhe videot me hashtag #thesecrethistory kanë më shumë se 150 milionë klikime në TikTok – duke shfaqur gjithçka, nga të rinjtë që luajnë personazhet e librit tek fansat që recitojnë fragmentet e preferuara ose shfaqin kopjet e tyre të shënuara. “Ka qenë një gëzim të shoh një brez të ri të zbulojë kryeveprën e Donna Tartt”, thotë Isabel Wall, botuesja e Tartt në Mbretërinë e Bashkuar, e cila po përgatit një botim të veçantë të librit për të shënuar 30-vjetorin.

Për shkrimtaren Laurie Petrou, ka kuptim të plotë që libri vazhdon të lidhet me lexuesit e rinj – edhe nëse bota e përshkruar në të ndihet më e largët se kurrë nga epoka e sotme dixhitale. “Është rini, apo jo”, thotë Petrou. “Të njëjtat gjëra që më goditën mua si e re, godasin vazhdimisht të rinjtë”.

Tridhjetë vjet dhe miliona lexues, zbulimi i “Historisë Sekrete” ende ndihet disi si t’i bashkohesh një klubi ekskluziv. “Të përjetosh atë libër për herë të parë është të shohësh dikë që është më i miri në zanatin e tij”, thotë Petrou. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë