Art dhe Kulture

“Edhe në vetëvrasjen time dështova”

Në moshën 17 vjeçare ajo u përjashtua nga gjimnazi. Në moshën 25 vjeçare mbeti jetime, pasi e ëma i vdiq nga një sëmundje e rëndë. Në moshën 27 vjeçare u martua me dikë që e dhunonte, por që u divorcua nga ai menjëherë pas lindjes së fëmijës me të. Në moshën 30 vjeçare ra në depresion dhe tentoi vetëvrasjen.

“Edhe në vetëvrasjen time dështova”, – kanë qenë vetë fjalët e saj. Pas strehimit në një qendër sociale dhe ndihmës që ju dha nga ana mjekësore për depresionin, ajo e kuptoi realisht se sa e varfër ishte. Ishte aq e varfër, sa mund të ishte dikush që kishte thjesht një shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar, por shumë shpejt i vendosi vetes synime për t’ia dalë mbanë. Ishte talenti i saj për të shkruar që e nxori në dritë.

Është fjala për autoren e famshme J. K. Rowlking të serisë së njohur për fëmijë “Harry Potter”. Pas gjithë vështirësive të kaluara në jetën e saj, në moshën 31 vjeçare ajo botoi librin e parë të “Harry Potter” dhe në moshën 35 vjeçare u shpall autorja e vitit. Sot seria e romaneve për fëmijë “Harry Potter” ka një vlerë që e kalon 15 miliardë dollarët.

Mbaj mend që pak kohë më parë e kam ndjekur intervistën e autores së famshme në emisionin e Oprah Winfrey dhe ajo shprehej se ndihej e frikësuar që mund të mbetej sërish e varfër si më parë për shkak të bamirësive të shumta që bënte.

Fitimet e saj nga shitjet e librave ishin të mëdha, por bamirësitë e saj kohët e fundit po i tejkalonin fitimet dhe ndaj pyetjes së Oprah Winfrey-t, nëse ajo ndihej e frikësuar se mund të mbetej sërish e varfër, ajo u përgjigj me sinqeritet: “Po”.

Nëse edhe ju jeni në vështirësi, kujtoni se edhe në varfërinë më të madhe, ju mund t’ia dilni mbanë nëse keni vullnet. Vullneti dhe synimet e mëdha që i vendosni vetes, janë forca më e madhe që do t’ju bëjnë të korrni sukses. Dhe kur të jeni në kulmin e suksesit dhe fitimeve tuaja, mos harroni të shihni edhe njerëzit më të varfër se ju, sepse ju keni dalë pikërisht nga ajo shtresë dhe e dini mjaft mirë se çfarë do të thotë varfëri. Bëhuni shembulli i një njeriu jo vetëm të suksesshëm, por edhe me shpirt të madh.

 

Më Shumë